Filipçe me thirrje drejt Mickoskit: Së bashku t’i miratojmë ndryshimet kushtetuese dhe të ndajmë përgjegjësinë”

TË FUNDIT

Jemi në një kohë kritike dhe në një moment shumë të rëndësishëm për anëtarësimin e vendit në bashkimin evropian dhe nëse nuk hipim në trenin evropian mund të ndodhë që dyert të na mbyllen për dekada. Këtë e theksoi kryetari i Këshillit Nacional për Integrime Evropiane Venko Filipçe në diskutimin për “Dimensionin gjeopolitik të zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe implikimet për Ballkanin Perëndimor”. Filipçe me një thirrje të hapur ndaj kryeministrit Mickoski.

“E ftoj Hristijan Mickoskin, pushtetin, që së bashku t’i bëjmë ndryshimet kushtetuese. Me këtë do të ndajmë përgjegjësinë për atë akt, ne si koalicion i udhëhequr nga Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë. Njëkohësisht, duke pasur parasysh se si ka qenë praktika në të gjitha vendet, në Kroaci, Bullgari e kështu me radhë, kur kanë zgjatur negociatat, të gjitha partitë kanë punuar së bashku, që të dijë se e ndajmë përgjegjësinë”, tha Filipçe.

Antonio Milloshoski, kryetar i Komisionit për Çështje Evropiane, vlerëson se ajo që qarkullon në qarqet ndërkombëtare për anëtarësim gradual të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE do të diskutohet edhe në samitin e ardhshëm të BE-së që duhet të mbahet në Mal të Zi.

“Edhe në vetë Bashkimin Evropian, vendet anëtare janë të vetëdijshme se ky proces as për to nuk është i lehtë dhe prandaj me gjasë propozojnë zgjidhje që nënkuptojnë anëtarësim më të shpejtë, por gjithsesi gradual në komunitetin e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian”, deklaroi Milloshoski.

Vlladimir Drobnjak, i cili ishte negociator kryesor në procesin e anëtarësimit të Kroacisë në Bashkimin Evropian, foli për aspektin gjeopolitik të zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor. Ai theksoi pozicionin strategjik të vendit për BE-në.

“Rëndësia strategjike e Maqedonisë së Veriut, respektivisht anëtarësimi i saj në NATO nuk mund të theksohet mjaftueshëm, megjithatë kjo nuk është e vetmja përfitim. Pozicioni i vendit në rrugët kryesore të Evropës juglindore e vendos Maqedoninë e Veriut si lidhje mes Bashkimit Evropian Qendror, Detit Egje dhe Detit të Zi. Do t’i përmend korridoret 10 dhe korridorin 8”, u shpreh Drobnjak.

Akademiku Vllado Kambovski tha se për anëtarësimin në Bashkimin Evropian duhet të hapet një debat i gjerë publik për procesin e integrimit evropian, përfshirë edhe temën e futjes së bullgarëve në Kushtetutë. Ai tha se duhet të ftohen të gjitha partitë politike, sindikatat dhe komuniteti akademik për të hapur të gjitha çështjet dhe në fund të arrihen zgjidhjet më të pranueshme që do të ndihmojnë në këtë situatë.