Është e rrezikshme që qytetarët me vetë-iniciativë të trajtohen nga Covid-19, kurse rrezik edhe më të madh ka nëse vetë i blejnë barnat në të zezë, deklaroi ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe. Ai theksoi se nuk ekziston asnjë provë se “remdesivir” dhe “favira” ndihmojnë në trajtimin e koronavirusit.
“Asnjë prej këtyre barnave nuk janë dëshmuar se ndihmojnë në mënyrë specifike për trajtimin e kësaj sëmundjeje. Bëhet fjalë për barëra të cilat janë të dëshmuar se ndihmojnë për sëmundje dhe situata të tjera. Kështu që, nuk mund të përshkruajmë barna të cilat nuk ndihmojnë për diagnozën konkrete”, deklaroi Venko Filipçe – Ministër i Shëndetësisë.
Bën thirrje që çdo pacient të konsultohet me mjekun e tij amë, i cili do të vendosë çfarë terapie duhet t’i jepet.
“Askush nuk duhet të marrë ilaçe që nuk janë të dëshmuara se ndihmojnë në trajtimin e Covid-19. Ende në botë ka numër të madh studimesh klinike të cilat i analizojnë barnat. Të gjithë e dimë se nuk ka bar specifik për këtë sëmundje. Bëhet kombinim i terapive ekzistuese për disa sëmundje të tjera ose për simptomat që dalin nga kjo sëmundje. Duhet të dimë, duhet të dinë edhe qytetarët se ekziston gamë e gjerë e simptomave me të cilat mund të shfaqet kjo sëmundje”, theksoi ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.
Filipçe theksoi se ka protokoll të unifikuar për mjekët se si duhet trajtuar pacientët e infektuar. Ai shpjegon se nuk ka një model të posaçëm për trajtimin e sëmundjes, sepse ajo manifestohet ndryshe tek secili pacient. Çdo formë klinike kërkon qasje të ndryshme dhe dozim të ndryshëm të barërave. I pari i Shëndetësisë, nga Shtipi paralajmëroi se qyteti është ndër qytetet me prioritet për vendosje të një spitali modular, duke pasur parasysh mbingarkesën e kapaciteteve spitalore. Ai beson se të gjitha punimet mund të përfundojë deri në fund të vitit. Përveç në Shtip, me dinamikë të njëjtë punohet edhe në Strumicë, Strugë dhe Gjevgjeli.
