Pas deklaratave të djeshme të kryeministrit Mickoski se nuk ka më hapësirë për lëshime identitare, pavarësisht kostos në rrugën eurointegruese, kreu i opozitares LSDM Venko Filipçe doli me kritika të forta, duke kërkuar referendum, ku sipas tij, qytetarët të vendosin nëse duan ta paguajnë çmimin për politikat Mickoskit dhe VMRO-DPMNE-së të cilët e mbajnë shtetin jashtë BE-së.
“Prandaj kjo tashmë nuk është çështje politike. Kjo është çështje e të gjithëve ne, për çdo qytetar, për familjet tona. Thjesht çështje për të ardhmen tonë. Kjo, të nderuar qytetarë, është çështje referendumi. Nuk mund të vendosë Hristijan Tino Mickoski për fatet tona. Thjesht, mjaft. Duhet që qytetarët të vendosin për këtë. Sepse qytetarët, familjet e tyre, fëmijët e tyre, do ta paguajnë çmimin e këtyre politikave të gabuara të Mickoskit”, deklaroi Venko Filipçe – kryetar i LSDM-së.
Filipçe po ashtu kritikoi pushtetin për gënjeshtra, manipulim të opinionit publik, dështim në udhëheqjen e shtetit, përkeqësim të standardit të jetesës dhe shmangie nga integrimi në BE nga frika e përgjegjësisë për korrupsion dhe krim.
Nga Qeveria u kundërpërgjigjën duke thënë se hapja e fondeve nga Agjenda Reformuese për Maqedoninë është tregues i qartë i orientimit evropian të kësaj Qeverie.
“Të mos harxhojmë kohë dhe paratë e qytetarëve. Ne jemi për BE-në dhe kjo është orientimi ynë strategjik, gjë që po e dëshmojmë në praktikë. Në fund të fundit, heqja e misionit vlerësues nga Këshilli i BE-së dhe hapja e fondeve nga Agjenda Reformuese për Maqedoninë janë tregues i qartë i orientimit evropian të kësaj Qeverie. Ndërsa se si duket kur LSDM angazhohet për referendum pa garanci për të ardhmen evropiane, qytetarët mundën ta shohin përmes një shembulli plastik nga referendumi i fundit i organizuar në vitin 2019. Ata edhe sot vazhdojnë të jenë indi i butë i identitetit maqedonas”, thonë nga Qeveria.
Përndryshe, që nga pavarësia Maqedonia ka mbajtur tre referendume: referendumin për pavarësi në vitin 1991, referendumin për ndarjen territoriale në vitin 2004 dhe referendumin për Marrëveshjen e Prespës dhe ndryshimin e emrit në vitin 2018.
