Filipçe dhe Hasani deri të martën të dorëzojnë dorëheqjen në Kuvend, në të kundërtën iniciojmë shkarkimin, tha Mickoski

TË FUNDIT

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski ka dhënë ultimatum për ministrin e Shëndetësisë, Venko Filipçe dhe zëvendësin e tij, Ilir Hasani.

“Japim afat deri të martën që Ministri i Shëndetësisë dhe zëvendësi i tij t’i dorëzojnë dorëheqjet në kuvend”, tha Mickoski, transmeton TV21.

Nëse ata dorëheqjen nuk e dorëzojnë deri të martën në Kuvend, atëherë grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së, bashkë me grupet tjera parlamentare do të iniciojë procedurë të shkarkimit.

“Nëse nuk e bëjnë këtë, grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së bashkë me grupet tjera do të parashtrojë kërkesë për shkarkim të ministrit dhe zëvendësit të tij”, tha më tej ai.

Filipçe dhe Hasani tashmë kanë dorëzuar dorëheqjen, por këtë e kanë bërë deri te kryeministri Zoran Zaev.

Zaev dje deklaroi se ndaj tyre do të sjellë vendim sapo të marrë informacionet e para nga hetimi.

Dorëheqjet erdhën si përgjegjësi morale për tragjedinë në Tetovë, ku nga zjarri që shkrumboi Qendrën Kovid, vdiqën 14 persona. 12 pacientë të sëmurë me Covid-19 dhe 2 familjarë të tyre./TV21