Filipçe demanton akuzat e opozitës: Vaksinimi do të vazhdojë

TË FUNDIT

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe ka hedhur poshtë të gjitha pretendimet e opozitës maqedonase, se ai po përpiqet të fitojë provizione nga procesi i blerjes së vaksinave anti-Covid-19.

“Nuk bëhet fjalë, absolutisht për asgjë të kundërligjshme, për asgjë të parregullt. Nuk bëhet fjalë për asnjëlloj provizioni apo çfarë na ka akuzuar këto ditë opozita. Sa i takon përgjegjësisë, ajo është diçka që kompanitë e zbatojnë me të gjitha shtetet dhe kjo është përgjegjësi e Ministrisë së Shëndetësisë”, tha Filipçe në paraqitjen e tij para mediave në Ministrinë e Shëndetësisë, transmeton TV21.

Akuzat nga opozita, Filipçe i sheh si përpjekje për të njëllosur procesin e vaksinimit, të cilat si përfundim do të kenë ndërprerjen e imunizimit. Por, ai shtoi, se vaksinimi do të vazhdojë.

“Dua t’i hedh poshtë të gjitha këto përpjekje që të hidhet njollë mbi këtë proces në një situatë të këtillë të ndjeshme. Vaksinimi duhet të vazhdojë në vendin tonë dhe konsideroj se me këtë opozita po përpiqet ta dëmtojë imazhin, ta komprometojë procesin dhe ta dëmtojë me çfarë do që të dëmtohet tërë procesi i imunizimit”, tha më tej Filipçe./TV21