Komisioni i Ndeshjeve pranë FFM-së ka vendosur të suspendojë përkohësisht stadiumin “Bashkimi” në Kumanovë, pas incidenteve të regjistruara në ndeshjen mes KF Bashkimi 1947 dhe KF Struga Trim Lum, e zhvilluar më 19 prill 2026 në kuadër të xhiros së 28-të të Ligës së Parë, përcjell TV21. Federata e Futbollit të Maqedonisë ka theksuar se situata ka kërkuar ndërhyrje policore për të garantuar sigurinë e delegatit, gjyqtarëve dhe ekipit mysafir.
“Në përputhje me nenin 75-v dhe nenin 77-g të Rregullores së Garave të FFM-së, Komisioni i Ndeshjeve ka marrë vendim për pezullimin e stadiumit “Bashkimi” në Kumanovë deri në marrjen e vendimit përfundimtar. Po ashtu, kundër KF Bashkimi 1947 Kumanovë dhe personit Burak Hida është hapur procedurë disiplinore, ndërsa lënda i është dorëzuar për trajtim të mëtejshëm Komisionit Disiplinor të FFM-së”, thonë nga FFM./tv21.tv
