FFM liron nga pagesa e kotizimit klubet e Ligës së Dytë

TË FUNDIT

Federata e Futbollit të Maqedonisë së Veriut ka marrë vendim që të heq pagesën e kotizimit për pjesëmarrje në Ligën e Dytë të futbollit vendor.

“Për herë të parë pas gati 15 vitesh, klubet e ligës së dytë nuk kanë më obligim të paguajnë këtë tarifë për pjesëmarrje në kampionat. Ky vendim, i marrë me nismën e kryetarit të FFM-së, Masar Omeragiq, paraqet një hap të rëndësishëm përpara drejt krijimit të kushteve më të mira për funksionimin e klubeve, lehtësimit financiar dhe përmirësimit të garës”, thonë nga FFM.

Tutje nga FFM-ja theksojnë se shuma totale financiare nga e cila lirohen klubet me këtë vendim të ri është 128 mijë euro për një sezon garues, gjë që përfaqëson mbështetje të drejtpërdrejtë dhe forcim të stabilitetit të tyre.

Ndërkaq, duke marrë parasysh që KF Besa nuk do të garojë më në sezonin 2025/26, FFM ka vendosur që vendin e liruar ta zë FC Prespa.