Festohet Bajrami i vogël! “Festa e flijimit” – simbol i besimit, sakrificës dhe unitetit të besimtarëve

TË FUNDIT

Në Xhaminë “Mustafa Pasha” në Shkup, që në orët e hershme të mëngjesit, filloi ceremonia qendrore për Festën e kurban Bajramit.

Gjatë programit solemn u lexuan ajete nga Kurani, ndërsa u interpretuan edhe ilahi në disa gjuhë, në një atmosferë festive dhe shpirtërore.

Në mesazhin e tij, kreu i BFI-së, Reis Ulema Shaqir Fetai, theksoi se Kurban Bajrami dhe Haxhi janë shprehje të besimit, përkushtimit dhe unitetit të besimtarëve, duke përcjellë mesazhin e dashurisë ndaj Zotit dhe njeriut, si dhe të barazisë, devotshmërisë dhe respektit mes njerëzve.

“Sot, në këtë ditë të madhe, besimtarët me kënaqësi kryejnë obligimin hyjnor të prerjes së kurbanëve të tyre, duke dëshmuar në praktikë se pasuria është dhuratë e Zotit dhe se ajo nuk është qëllim i jetës, por mjet për arritjen e qëllimeve të saj: besimit, kujdesit ndaj vetvetes, njeriut, jetimit, të varfrit, dijes dhe mirëqenies njerëzore”, tha Reis Ulema Shaqir Fetai.

Kryemyftiu theksoi po ashtu Kurban Bajrami përçon parimin se veprat madhore kërkojnë sakrificë dhe se e mira arrihet përmes flijimit, duke kultivuar te besimtarët vlera si maturia, urtësia, solidariteti, paqja dhe kujdesi për mirëqenien e përgjithshme.

“Kjo festë e bën besimtarin të vetëdijshëm që ta largojë nga vetja urrejtjen, xhelozinë, agresivitetin, nënçmimin, diskriminimin dhe përçarjen. Ajo simbolizon vetëdijen e lartë mbi Krijuesin, kujdesin për familjen e shëndoshë, afërsinë me njëri-tjetrin, urtësinë në veprime, dashurinë ndaj të afërmve, prindërve dhe familjes, forcimin e lidhjeve ndërnjerëzore, shmangien e konflikteve ndërmjet vendeve dhe kombeve, si dhe mbjelljen e paqes, tolerancës dhe solidaritetit për ngritjen e vetvetes, familjes dhe shoqërisë në përgjithësi”, deklaroi Reis Ulema Shaqir Fetai.

Pas namazit, ky bajram karakterizohet me therjen e kafshëve në shenjë devotshmërie ndaj Zotit, një ritual që buron që nga koha e profetëve Ibrahimit dhe Ismailit.
Festa karakterizohet edhe me veshje të bukura, ushqime tradicionale, vizita familjare dhe pajtim mes njerëzve.