Festohet 118 vjetori i Kryengritjes së Ilindenit, në Pelincë vallëzohet “Vallja e vajzave” dhe e “Malësores”

TË FUNDIT

Me valle e vendosje kurora lulesh u shënua 118 vjetori i Kryengritjes së Ilindenit për shtet të pavarur. Përfaqësues të Qeverisë, zyrtarë e politikan nga të gjitha partitë politike vendosën kurora lulesh në Pelincë. Edhe pse të ulur nën tenda, si duket e kishin nxehtë.

Kryeministri Zoran Zaev tha se festa e Ilindenit është e të gjitha etniteteve të cilët jetojnë në vend.

“Ilindeni ynë i tretë vazhdon të jetojë përmes luftës sonë për drejtësi dhe për shtet të së drejtës. Përmes luftës sonë të sigurojmë një jetë më cilësore për çdo qytetarë. Do të përsëris dhe do të përfundoj se Ilindeni dhe 2 gushti 1903 dhe 1944 janë ngjarje të skalitura në mendjet tona si kapituj të pandarë në procesin e krijimit të shtetit tonë të përbashkët”, tha Zaev.

Dita e Republikës u shënua edhe në Shkup.

Një delegacion i Kuvendit i udhëhequr nga kryeparlamentari, Talat Xhaferi, vendosën lule para përmendores së Nikolla Karevit para Kuvendit dhe tek përmendorja e Metodija Andonov Çentos.

Si çdo vit ishin të pranishëm familjarët e Çentos. Këtë herë më ndryshe. Në mënyrë simbolike kishin veshur bluza “Liri për Jane Çenton”, i dënuar me 15 vjet burg për dhunën në Kuvend më 27 prill. Nëna e tij kërkoi lirimin e djalit të saj, duke pohuar se është i pafajshëm.

Kryeparlamentari Talat Xhaferi ë fjalën e tij tha se shteti është i përbashkët dhe të gjithë kanë përgjegjësi ta ruajnë.

“Shteti ynë është bashkim i dallimeve, mozaik unik në të cilin secila pjesë unike është rritur dhe zhvilluar mbi rrënjët e veta që kanë qenë dhe janë konfirmim i jetëgjatësisë dhe qëndrueshmërisë së popujve që kanë jetuar dhe kanë qenë pjesë e këtij nënqielli”, deklaroi Xhaferi.

Presidenti i vendit Stevo Pendarovski kurora lulesh vendosi tek varri i Nikolla Karevit në “Makedonium”. Për dallim nga viti i kaluar dhe paraardhësit e tij, Presidenti sivjet nuk mban fjalim. U arsyetua se këtë e bën me qëllim që t’i ndalojë ndasitë politike. Festën e uroi nëpërmjet një video-incizimi.

“Këtë vit ne festojmë 30 vjet pavarësi, vite në të cilat patëm ulje-ngritje, tre dekada suksesi, por edhe tundime të shumta të jashtme dhe të brendshme që shkaktuan kriza dhe ndarje të thella. Në këto kohë pasigurie për ne, por edhe për të gjithë botën, do të na duhet të kapërcejmë përsëri ndarjet e brendshme dhe të bashkohemi rreth idealeve origjinale të Ilindenit dhe KAÇKM –it”, tha Pendarovski.

Me kryengritjen e Ilindenit dhe Republikën e Krushevës më 1903 dhe më pas edhe në Ilindenin e dytë më 1944 me mbledhjen e parë të KAÇKM-së u vendosën shtyllat e republikës dhe të shtetit.