Festa me njerëz të shkurtër, Lamine Yamal do të hetohet nga autoritetet spanjolle

TË FUNDIT

Ministria e të Drejtave Sociale e Spanjës i ka kërkuar zyrës së prokurorit që të hetojë sulmuesin e krahut të Barcelonës, Lamine Yamal. Ka pasur raportime në ditët e fundit se ylli i futbollit ka punësuar njerëz me trup të shkurtër për të performuar në festën e tij për ditëlindjen e 18-të.

Yamali organizoi festën fundjavën e kaluar në një pronë që e mori me qira në Olivella, një qytet i vogël 50 kilometra në veriperëndim të Barcelonës. Në festë ishin të ftuar disa prej shokëve të skuadrës së Barcelonës, figura të njohura të “Youtube” dhe persona me ndikim në rrjetet sociale.

Pretendohet se Yamali angazhoi një grup xhuxhësh për festën e tij. Shoqata e Personave me Akondroplazi dhe Displazi të  Tjera Skeletore në Spanjë (ADEE) e përshkroi këtë si “të papranueshme në shekullin e 21-të”.

E kontaktuar nga BBC Sport, Drejtoria e Përgjithshme për Personat me Aftësi të Kufizuara, që është pjesë e Ministrisë së të Drejtave Sociale, tha: “ADEE tashmë ka bërë një padi ligjore. Prandaj drejtoria i ka kërkuar Zyrës së Prokurorit të hetojë dhe të përcaktojë nëse është shkelur ligji dhe me këtë edhe të drejtat e personave me aftësi të kufizuara”.

ADEE tha se “denoncon publikisht punësimin e personave me trup të shkurtër si pjesë të argëtimit”. Kjo organizatë ka shkruar se do të ndërmarrë veprime ligjore “pasi u përjetësuan stereotipa, u nxit diskriminimi dhe u cenua imazhi dhe të drejtat e personave me aftësi të kufizuara”.

Sipas organizatës, angazhimi i xhuxhëve për argëtim shkel jo vetëm legjislacionin në fuqi, por edhe vlerat themelore etike të një shoqërie që kërkon të jetë e respektueshme dhe e barabartë.

“Ligji i përgjithshëm për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara thotë: ‘Janë të ndaluara shfaqjet ose aktivitetet rekreative në të cilat personat me aftësi të kufizuara përdoren për të provokuar tallje, përqeshje ose përbuzje nga publiku në një mënyrë që bie ndesh me respektin e duhur për dinjitetin njerëzor”.