Pas agjërimit 30 ditor, besimtarët këtë mëngjes iu drejtuan xhamive në mbarë vendim për namazin e Fitër Bajramit.
Manifestim qendror në Xhaminë “Mustafa Pasha” në Shkup, ku u kënduan ilahi dhe lexime nga Kurani.
Namazi u drejtua nga Myftiu i Tetovës, Dr. Hfz. Selver ef. Xhemaili.
Mes pleqve e të rinjve, nuk kishte se si të mos e merrte vëmendjen edhe kjo mace brenda xhamisë.
Kryetari i BFI-së Shaqir Fetahu theksoi rëndësinë e reflektimit të muajit të Ramazanit, kur njeriut i ngritet vetëdija në sfera të ndryshme duke u kujdesur për njerëzit e tjerë.
“Festa e Fitër Bajramit na gëzon edhe më tepër sepse ngadhënjyem në sfera të ndryshme ngritëm vetëdijen mbi zotin, vetveten, familjen, të mirën paqen solidaritetin dhe respektin ndaj të gjithëve. Largimin dhe abstenimin nga kënaqësitë trupore në shpirtin dhe zemrat tona kuptuam se etja dhe uria mbi të gjitha mbjellin tek njeriu vetëdijen, kujdesin për skamnorin, të varfrin, njeriun me nevoja të veçanta, jetimin dhe mbi njeriun me halle. E gjithë kjo na e mësoi konceptin islam se kujdesi ndaj njeriut është vlera kulminante dhe më fisnike e besimtarit”, tha Shaqir Fetahu, kryetar i BFI-së.
Fetahu theksoi se teknologjia ka bërë që njerëzit të largohen mes vete, gjersa foli edhe për luftërat me të cilat përballet bota.
“Ky koncept është i domosdoshëm sepse vërtetë bota sot po bën hapa të fuqishëm në zhvillimin materialo-teknologjik por në anën tyjetër po pëson rënie drastike që njeriun e bëjnë njeri në atë morale dhe shpirtërore, po nënçmohet dinjiteti i njeriut, po shkatërrohet familja, largohet njeriu nga njeriu largohet djali, vajza nga prindërit nga vëllau nga fqinji dhe njerëzit”, pohoi Shaqir Fetahu, kryetar i BFI-së.
Fitër Bajrami është festa që vjen pas agjërimit 30 ditor të muajit të Ramazanit, kur besimtarët heqin dorë nga të ngrënit dhe pija nga agimi deri në perëndim të diellit.
