Ferrari zbulon detajet e modelit të parë elektrik, pritet të kushtojë 500 mijë euro

TË FUNDIT

Ferrari ka prezantuar për herë të parë teknologjinë që do të fuqizojë veturën e saj të parë elektrike, modelin Elettrica, duke hapur një kapitull të ri në historinë 78-vjeçare të prodhuesit italian të veturave luksoze, raportoi të enjten Reuters.

Në një ngjarje të mbyllur për publikun në selinë e kompanisë në Maranello, Ferrari zbuloi shasinë e modelit Elettrica – bazën e veturës me baterinë dhe motorin elektrik, por ende pa rrota dhe pa karroceri të jashtme. Vetura e plotë pritet të prezantohet zyrtarisht vitin e ardhshëm, me një shpejtësi maksimale prej 310 km/h.

Modeli do të ketë katër dyer dhe hapësirë për më shumë se katër persona. Ai do të jetë i pajisur me sistem të veçantë audio që amplifikon dridhjet reale të motorit elektrik, duke krijuar një “tingull unik Ferrari” – dhe jo thjesht zë të simuluar.

Shefi ekzekutiv i Ferrarit, Benedetto Vigna, e quajti ditën e prezantimit si “historike”.

“Vetura elektrike nuk është zëvendësim, por një shtesë e modeleve tona”, ka thënë ai.

Ferrari planifikon që 20% e linjës së vet të modeleve të jetë plotësisht elektrike deri në vitin 2030, përqindje më e ulët sesa objektivi i mëparshëm prej 40%. Megjithatë, ndryshe nga prodhuesit e zakonshëm, Ferrari nuk ka presion të madh për të hequr dorë nga motorët me djegie të brendshme përpara ndalimit të tyre në BE në vitin 2035, pasi modelet e saj mund të përdorin karburante sintetike të shtrenjta që klientët e saj mund t’i përballojnë.

Modeli Elettrica pritet të ketë një çmim fillestar prej të paktën 500 mijë eurosh dhe është ndërtuar me 75% alumin të ricikluar, ndërsa bateria është e integruar në dyshemenë e veturës për një qendër më të ulët graviteti – çka përmirëson ndjeshëm performancën dhe manovrimin.