Ish-ndërmjetësi ndërkombëtar në krizën e vitit 2001 në Maqedoni, Pither Feith ka deklaruar se në Maqedoni ka keqpërdorim të pushtetit.
“Ekzistojnë indikacione të qarta se në Maqedoni ka keqpërdorim të pushtetit por BE nuk mund ta thotë atë deri sa nuk ka ndonjë hetim serioz për përmbajtjen e bisedave që po i publikon opozita”, ka deklaruar diplomati holandez Pither Feith në programin e parë të radios holandeze NPO Radio.
Sipas tij, BE-ja është shumë e shqetësuar për gjendjen në Maqedoni.
“Incizimet zbulojnë shkelje të mëdha të drejtave të njeriut dhe manipulime zgjedhore” thotë ai duke shtuar se është e nevojshme hetim pikërisht për këto zbulime.
Feith deklaroi se Maqedonia ka një perspektivë të vërtetë për hyrje në BE dhe tani kjo perspektivë duhet të mbijetojë dhe Maqedonisë duhet t’i ndihmohet për të tejkaluar këtë krizë politike.
Pither Feith është diplomat holandez i cili ka punuar në Ballkan gjatë kohës së krizës në Maqedoni i dërguar nga NATO si dhe është njëri ndër pjesëmarrësit në përpunimin e Marrëveshjes së Ohrit. Ai së fundi ishte shef i -Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë.
