FE akuzon për presione ndaj drejtorëve të spitaleve, Taravari: Drejtorët ekonomik, pozitë me të cilën BDI kishte “qerasur”

TË FUNDIT

Fronti Europian akuzon ministrin e shëndetësisë Arben Taravari se po bën presion që të japin dorëheqje drejtorët organizativ dhe mjekësorë në të gjitha klinikat. Sipas tyre, Taravari ka urdhëruar njerëzit e tij të afërt që t’i urdhërojë drejtorët që të dorëhiqen. Habiten pse kjo ndodhë pasi në Kuvend tashmë ka arritur propozim ligji për mbrojtje shëndetësore, me të cilin shfuqizohet funksioni drejtor ekonomik.


“Të cilët me urdhër të ministrit Arben Taravari, po iu bëjnë shtypje psikologjike dhe institucionale deri në nivel të kërcënimeve drejtorëve organizativ dhe medicinal edhe pse kanë mandat, që të japin dorëheqje nga funksioni dhe detyra e tyre”, tha Rina Ajdari – deputete e Frontit Europian.

Megjithatë, deputetja Ajdari shprehet se drejtorët nga radhët e Frontit Europian, nuk do të japin dorëheqje.


“Pothuajse në të gjitha klinikat. Edhe mbi ata të cilët kanë mandat edhe mbi ata të cilët nuk kanë mandat, tek të gjithë është ushtruar presion nga ana e individëve të caktuar, të cilët kanë marrë urdhër nga ministri i shëndetësisë Arben Taravari që t’iu bëhet presion. Drejtorët nuk japin dorëheqje, drejtorët tanë nuk japin dorëheqje”, shtoi deputetja e Frontit Europian, Rina Ajdari.

E mbi këto akuza reagoi vet ministri i shëndetësisë, Arben Taravari.


“BDI-ja kishte një reagim ku qau hallin pse në Ministri të Shëndetësisë është eleminuar pozita e Drejtorit Ekonomik. Një pozitë krejt e panevojshme me të cilën BDI-ja kishte “qerasur” njerëzit e saj.
Pra, BDI-ja qortoi Qeverinë që kursen paratë e qytetarëve dhe po këput lidhjet korruptive të ndërtuara nga BDI-ja… Kjo parti ka nevojë për dy gjëra:
1. Një ekip të mirë avokatësh që të mbrojë veten nga akuzat që po i përgatiten,
2. t
ë kuptojë se të paktën tani që është në Opozitë, duhet të ndryshojë mentalitetin e saj korruptiv…”, theksoi Arben Taravari – Ministër i Shëndetësisë.

Përndryshe dy ditë më parë në komisionin kuvendor për shëndetësi kaluan ndryshimet e ligjit për mbrojtje shëndetësore, me të cilët shfuqizohen tërësisht funksionet e drejtorëve ekonomikë. Me këtë siç tha ministri Taravari, do të kursehen rreth 2 milionë euro dhe puna e klinikave do të jetë më efektive.