FE akuza VLEN-it bënë kuorum për “branitellat”! VLEN thotë se Ligjin e propozoi BDI-ja përmes LSDM-së

TË FUNDIT

Propozim ligji “për Branitellat” i parashtruar në Kuvend parasheh rritje të kompensimeve mujore për luftëtarët e Armatës të cilët kanë marrë pjesë në konfliktin e vitit 2001, e të cilët kanë përfunduar me invaliditet, apo kanë humbur jetën. Për këta të fundit, kompensimin e merr familja.

Përpos LSDM-së, si propozuese, partitë tjera politike këtë e shohin si provokim dhe tentim për të krijuar konflikte ndëretnike. Kryeministri Hristijan Mickoski, thotë se “branitellat” e kanë patur, e kanë dhe do ta kenë mbështetjen e tij, por ai dyshon në sinqeritetin e LSDM-së, pasi dyshon se këtë e bëjnë për të krijuar tensione ndëretnike dhe bëri thirrje të mos bihet pre e kësaj.

E zv.kryeministri i parë Izet Mexhiti pyet nëse ky propozim-ligj është për të defokusuar publikun nga pasurimi kriminal i udhëheqësve të BDI-së?

Por nga BDI dyshojnë tek koalicioni VLEN. Kjo përshkak se siç thonë, deputetët e VLEN, pasi braktisën seancën, më vonë u kthyen për të mundësuar kuorum.

I pyetur se cili ishte qëllimi dhe pse pikërisht në këtë periudhë LSDM dorëzoi një propozim ligj të tillë, kryetari i LSDM-së Venko Filipçe shprehet se qëllimi është të ndihmohen familjarët e të rënëve dhe invalidët e luftës.

LSDM nuk e përjashton mundësinë që në këtë ligj të përfshihen edhe kategori tjera dhe janë të gatshëm për të biseduar me partitë. E për këtë janë të interesuar nga koalicioni VLEN. Përmes një komunikate, njoftuan se duan zgjidhje gjithëpërfshirëse, përfshirë edhe ish-luftëtarët e UÇK-së.

Propozim ligji për “branitellat” i dorëzuar nga deputetja socialdemokrate Sllavjanka Petrovska, parasheh rritje të kompensimeve mujore për invalidët dhe familjet e të rënëve, nga 1200 euro si vlerë mujore në 82 mijë euro nëse shkalla e invaliditetit është 100%. Propozim ligji përfshinë forcat e sigurisë nga viti 2000 deri në vitin 2024.