Fatmir Sheholli: E ndiej veten të pafajshëm

TË FUNDIT

Fatmir Sheholli është deklaruar i pafajshëm në seancën fillestare të gjyqit ndaj tij si i dyshuar për spiunazh dhe shantazh.

“E ndiej veten të pafajshëm”, është deklaruar Sheholli në mëngjesin e 7 shtatorit, para Gjykatës Themelore në Prishtinë, në lidhje me të dy veprat penale.

Sheholli akuzohet se ka bashkëpunuar me Agjencinë e Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA), dhe se e ka shantazhuar një person për një shumë prej 13.000 eurosh.

“I pandehuri ka zbatuar në tërësi edhe një plan konkret i cili synonte dëmtimin e interesave të Republikës e Kosovës dhe ndërhyrjes së procesit zgjedhor të nbajtur më 12.10. 2025”, ka thënë prokurori special në këtë rast, Bekim Kodraliu.

I pranishëm në sallën e gjyqit ishte edhe minsistri në detyrë i Kosovës për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq.

Në aktakuzën prej 80 faqesh, Prokuroria pretendon se Sheholli ka qenë i rekrutuar nga BIA nga një datë e pacaktuar deri më 9 tetor 2025 dhe i ka raportuar Bojan Dimiqit, drejtor i Drejtorisë kundër Terrorizmit dhe Krimit të Organizuar Ndërkombëtar.

Sheholli akuzohet se ka mbledhur, siguruar dhe i ka përcjellë përmes mesazheve telefonike të dhëna këtij agjenti të BIA-s informacione dhe dokumente që lidhen me aktivitete politike, gjendjen e sigurisë dhe funksionimin e institucioneve të Kosovës.

Sheholli u arrestua në tetor të vitit 2025 nën dyshimin për spiunazh.

Ai vazhdon të mbahet në paraburgim.

Rasti i Shehollit është një nga disa raste të spiunazhit të dyshuar për Serbinë që autoritetet kosovare kanë hetuar viteve të fundit.

Në qershor të vitit të kaluar, Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar Aleksandar Vllajiqin me pesë vjet burgim, pasi ai është deklaruar fajtor për spiunazh si anëtar i Agjencisë serbe të Inteligjencës dhe Sigurisë (BIA), ndërsa Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi po gjykohen, gjithashtu, nën akuzat për spiunazh për Serbinë.

Ndërkaq, në gusht të këtij viti, Fehim Sali u arrestua nën akuza për spiunazh për Serbinë. Prokuroria Speciale pretendon se ai ka mbledhur, ndër të tjera, informacione për persona që i përkasin sektit vehabi.