E shqetëson shprehja “grupi i zjarrit”.
“Unë nuk do ta quaj grup këtë dhe në asnjë mënyrë telash apo problem, thjesht si një lloj debati i pa kanalizuar ndoshta”, tha Fatmir Dehari, anëtar i kryesisë së BDI-së.
Anëtari i kryesisë së BDI-së, njëherazi edhe kryetar i Kërçovës, Fatmir Dehari, nuk pozicionohet në asnjë anë kur bëhet fjalë për zhvillimet e fundit brenda partisë, mes të ashtuquajturit “grup i zjarrit” që kanë shprehur pakënaqësi për ministrat integristë.
“Shpesh ka ndodhur jo vetëm 3-4, por dikur edhe 2-3 të tjerë dhe 4-5 të tjerë kanë pasur mendime nga më të ndryshmet dhe thjesht pakënaqësi rreth asaj se ku duhet të shkojmë ne”, pohoi Fatmir Dehari, anëtar i kryesisë së BDI-së.
Qëndrimet e tij më shumë dukeshin si të një lideri që përpiqet të arsyetojë çdo bashkëpartiak, sepse gishtin e fajësimit direkt nuk e drejtoi as ndaj Musa Xhaferit, kur ju shfaqën në ekran premtimet ende të pa realizuara të ish-zëvendëskryeministrit.
“Nuk them në asnjë mënyrë që këto premtime ne mund t’i mbulojmë. Ne shpesh e vendosim në situatë jo të mirë edhe kryetarin tonë ndoshta, për atë që e the, për të na mbrojtur. Vonesa e realizimit të këtyre projekteve…”, tha Fatmir Dehari, anëtar i kryesisë së BDI-së.
-Adresën e ka Ali Ahmeti..?
“Nuk e ka Ali Ahmeti, e kanë përgjegjësit në detyrë! Mos harroni, një vit përpara Musa Xhaferi nuk e mbështeti kandidaturën time në Kërçovë dhe sot me Musën diskutojmë bashkë, bashkëbisedojmë”, theksoi Fatmir Dehari, anëtar i kryesisë së BDI-së.
Kritika nuk adresoi as ndaj zëvendëskryeministrit Artan Grubi për të cilin “grupi i zjarrit” ka shfaqur pakënaqësi.
“Ju a jeni i kënaqur me z.Grubi a jo? Ka punë që jam i kënaqur dhe natyrisht ka punë që pres të realizohen. Kur themi mundemi edhe më shumë, sigurisht se z.Grubi mundet edhe më shumë, në kuptimin e realizimit, finalizimit të projekteve”, tha Fatmir Dehari, anëtar i kryesisë së BDI-së.
E gisht nuk drejtoi as kah Izet Mexhiti, që po ashtu është pjesë e “grupit të zjarrit”.
“Unë Izetin e kam shok 20 vjet dhe çfarëdo që të ndodhë në qasjen e politikës, në këndvështrimin politik, raportet njerëzore me Izet Mexhitin do të përfundojnë atë ditë kur do të përfundojmë në botën tjetër”, deklaroi Fatmir Dehari, anëtar i kryesisë së BDI-së.
Madje tha fjalë miradije për të gjithë emrat në postet më të larta në Kryesinë e re, edhe ato që nuk u zgjodhën.
“Me shumë respekt për zonjën Arta, një personalitet edhe i fushës së arsimit por ja edhe tani në Kuvend mjaft aktive. Arbër Ademi nga Kumanova, një djalë i kompletuar mbi të gjitha njerëzor. Faton Ahmeti, sekretar i përgjithshëm, një djalë mjaft njerëzor dhe që premton shumë për të kontribuar brenda kësaj shoqërie dhe shteti. Nënkryetari tjetër po ashtu nga Tetova, i Sellcës, njëkohësisht që mund të them lirisht se përfaqëson edhe ushtarët e UÇK-së”, tha Fatmir Dehari, anëtar i kryesisë së BDI-së
U shpreh se është jonjerëzore të ndërhysh mes Ali Ahmetit e Musa Xhaferit.
“Të ndërhyj në marrëdhëniet mes dy shokëve që bashkëveprojnë mbi 4 dekada, për mendimin tim është jonjerëzore. Nuk mendoj se është ftohje raportesh, kemi të bëjmë me mendime nga më të ndryshmet”, pohoi Fatmir Dehari, anëtar i kryesisë së BDI-së.
Krahas bashkëpartiakëve, fjalë të mira tha edhe për kryetarit të detyrë të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, por në profesionin si mjek, për të cilin tha se do të duartrokiste për punën që bën.
