Eurostat: Në Shqipëri, të ardhurat për kokë banori janë 31 për qind e mesatares evropiane

TË FUNDIT

Qytetarët shqiptarë gjatë vitit 2019 kishin të ardhura për kokë banori 31 për qind të mesatares evropiane, një përqindje që nuk ka ndryshuar në krahasim me vitin 2018, theksojnë rezultatet e publikuara nga Eurostat.

“Sipas ekspertëve, niveli i pandryshuar tregon se rritja ekonomike në Shqipëri nuk është reflektuar në të ardhurat e amvisërive. Në raport theksohet se Bosnjë e Hercegovina e ka lënë vendin tonë pas, pasi shënon një rritje të të ardhurave për kokë banori në krahasim me vitin 2018”, transmeton Ora Njuz.

Për sa i përket konsumit aktual individual, i cili e mat mirëqenien e anëtarëve të familjes dhe shprehet sipas barazisë së fuqisë blerëse, Shqipëria ka nivelin më të ulët në Evropë, me 40 për qind të mesatares së Bashkimit Evropian.

Mali i Zi konsiderohet vendi me konsum më të madh në rajon, por megjithatë në nivel prej 60 për qind të mesatares evropiane.

Luksemburgu është vendi me të ardhurat më të mëdha dhe konsumin për kokë banori në Bashkimin Evropian, ndërsa më e varfra është Bullgaria.

Hulumtimi u realizua në 37 vende, ndërsa në të nuk ishte e përfshirë Kosova./MIA