Komisionari i BE-së për Zgjerim, Oliver Varheji, përshëndeti votimin e reformës zgjedhore në Kuvendin e Shqipërisë, të dakorduar më 5 qershor, duke thënë se ishte përmbushur një nga kushtet kryesore të rekomandimeve të Këshillit të Evropës.
Komisionari i BE-së, në Tuiter u kërkon të gjitha palëve të rifillojnë diskutimet mbi “frymën dhe rezultatet e 5 qershorit, që të mos dalin nga rruga”.
“Mirëpres miratimin e Kodit Zgjedhor, në përputhje me marrëveshjen e 5 qershorit. Kjo plotëson një kërkesë kryesore të rekomandimeve të Këshillit të Evropës. Për çdo ndryshim tjetër, u bëj thirrje të gjitha palëve që të vazhdojnë diskutimet mbi frymën dhe rezultatet e 5 qershorit, të mos dalin nga rruga”, shkroi eurokomisionari.
Duke përshëndetur votimin e reformës zgjedhore, ambasadorja amerikane Juri Kim, tha që kjo tanimë është ligj.
“Marrëveshja e 5 qershorit tani është ligj. Përfshirja e të gjithëve dhe transparenca duhet të jenë rregull për aktivitete të rëndësishme kombëtare. Të gjitha palët duhet të marrin pjesë me mirëbesim dhe të vazhdojnë të angazhohen dhe të jenë transparentë”, ka shkruar Kim.
Ky akt i rëndësishëm për të ardhmen evropiane të Shqipërisë, siç vlerësojnë, u mirëprit edhe nga ambasadori britanik, Dankan Norman, ambasadori gjerman, Peter Zingraf dhe euroambasadori i BE-së, Luigji Soreca.
