Eurodeputi Bullgar “nxehet” në Click Plus! Kovaçev pa përgjigje se pse e konteston festimin e 11 tetorit

TË FUNDIT

Debat i ashpër i eurodeputetit bullgar Andrej Kovaçki në emisionin Click plus në TV21. Festimin e 11 tetorit si ditë e luftës kundër fashizmit, e quajti provokim i palës maqedonase që shkaktoi reagime në opinionin publik në Maqedoni. I pyetur se pse e konteston festimin e kësaj date me çka jemi në anën kundër fashizmit, ai nuk dha përgjigje konkrete.

Andrej Kovaçev: “Ardhja e diktaturës komuniste në pushtet nuk është asnjë rast për të festuar. Në Bullgari kjo gjë është shpallur si regjim kriminal. Që nga viti 44 e deri në 89 ju doni ta bazoni identitetin tuaj mbi diktaturën komuniste.

Përsëri nuk mu përgjigjët?

Andrej Kovaçev: “Është e drejta juaj se çfarë do të bëni, ky është problem juaj. Ne duam të shkojmë përpara, drejt BE-së, të ndihmojmë njëri tjetrin dhe duam të gjejmë zgjidhje për çështjet aktuale që janë para nesh”.

Por a lëvizin negociatat drejt rrugës pa dalje? Ministri i punëve të jashtme, Bujar Osmani tha se ka hapësirë për të gjetur zgjidhje edhe te pala bullgare  edhe te ajo maqedonase, ndërsa deklaratat e këtilla mendon se janë përcaktim të hapësirës nga ana e Bullgarisë në lidhje me çështjen për luftën antifashiste. Marrëveshja për miqësi mbetet në një kornizë të vetme, ndërsa iniciativa shtesë dhe memorandume paraqesin dalje nga kjo kornizë.

 “Kjo e hap temën që e inicion Bullgaria, për rehabilitim të viktimave të komunizmit dhe ne, çështjen nëse Bullgaria në atë kohë ka qenë në koalicion me Hitler. Nëse hapen këto çështjet, nëse ka pasur viktima të komunizmit, le të shohim nëse kjo gjë është e saktë dhe t’i rehabilitojmë”, tha Bujar Osmani – Ministër i Punëve të Jashtme.

Në Click Plus mori pjesë edhe Nikollaj Krasnev, gazetar nga Bullgaria i cili tha  se për t’i tejkaluar këto çështje, shoqëritë duhet ende të rriten. Sipas tij gjendja aktuale komplikohet me situatën aktuale politike në Bullgari e cila ballafaqohet me protesta masive dhe se këto tema i hap VMRO-BND e cila përgatitet për zgjedhje, duke e përfshirë këtu edhe çështjen për Kirilin dhe Metodin.

 “Këtë iniciativë në Bullgari nuk e sheh opinioni publik, ekspertët  nuk e pranojnë këtë iniciativë. Ata mendojnë se kjo është e gabueshme, për shkak se në këtë mënyrë Kirili dhe Metodi kufizohen vetëm në kornizat bullgare, e jo në kornizat sllave, si krijues të vlerave evropiane”, deklaroi Nikollaj Krasnev – gazetar bullgar.

Të enjten dhe të premten komisioni i përzier maqedono-bullgar zhvilloi takim në Shkup, por nuk kishte progres në negociatat. Personaliteti i Goce Dellçevit mbetet i kontestueshëm ndërsa hapat e vetme janë bërë në vërejtjet brenda librave mësimore maqedonase dhe në ato bullgaret.

Debatin e plot rreth çështjeve të hapura me Bullgarinë mund ta ndiqni të martën orën 21:30 në TV21.