EULEX i përgjigjet Gjuriqit: Ndërhyrja politike në gjyqësor është jodemokratike

TË FUNDIT

Misioni i Europian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), i është përgjigjur thirrjeve të politikanëve serbë nga Serbia e Kosova, përmes të cilave po kërkojnë nga gjykatësit e këtij misionit t’ia mundësojnë Oliver Ivanoviqit mbrojtjen në liri.
Në një prononcim për lajmi.net, zyrtarë të këtij misioni kanë vlerësuar se tendenca për ndërhyrje politike në procesin gjyqësor të Ivanoviqit, të bëra së fundi kryesisht nga shefi i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, janë në kundërshtim me parimet të funksionimit të një shteti demokratik.
Besa Domi, zëdhënëse në EULEX ka thënë se të vetmen mundësi që i akuzuar për krime lufte, Oliver Ivanoviq, mund ta bëjë të trupi gjykues që t’i mundësohet mbrojtja në liri, është përmes rrugëve juridike.

“Sundimi i ligjit në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe praktikat më të mira evropiane ndjek disa parime kryesore, të cilat ne të gjithë duhet t’i mbajmë në mend:

Vendimet merren nga gjykatësit e pavarur të cilët nuk janë të ndikuar nga askush. Parimi i pavarësisë së gjyqësorit, i garantuar me kushtetutë nuk është i negociueshëm.
Gjyqtarët marrin vendimet e tyre në bazë të argumenteve ligjore, fakteve dhe provave, dhe vendi i vetëm i përshtatshëm për paraqitjen e tyre për shqyrtim gjyqësor është në gjykatë, duke përdorur mjete të vendosura brenda kuadrit ligjor në fuqi.
Nëse një palë nuk është e kënaqur me një vendim të trupit gjykues ose gjyqtarit, Kodi i Procedurës Penale së Kosovës parasheh mjete juridike për tu ankuar. Këto mbeten në dispozicion të zotit Ivanoviq dhe apeli i tij është duke u shqyrtuar aktualisht nga shkalla e duhur (Gjykata e Apelit)”, thuhet në prononcimin e EULEX-it.
Në këtë reagim, Domi ka bërë të ditur se presioni politik i bërë në çdo proces gjyqësor, nuk është i pranueshëm në shoqëri demokratike ku sundon rendi e ligji.

“Asnjë ndërhyrje politike, e perceptuar ose që ndodh vërtetë, nuk është e pranueshme në një shoqëri demokratike dhe në një sistem ku ka rend dhe ligj”.

“Misioni ka theksuar gjithmonë respektin e plotë për këto parime themelore dhe gjithashtu ka ftuar të gjithë të ndjekin këto parime, si dhe, edhe për të mirën e të pandehurve”.

Oliver Ivanoviq së bashku me katër pjesëtarë tjerë të komunitetit serb në Kosovë, po akuzohen për krime lufte gjatë vitit 1999 dhe ato të pas luftës gjatë vitit 2000. Aktualisht Ivanoviq gjendet në paraburgim me një vendim të trupit gjykues të përbërë nga gjyaktës të EULEX-it.