Përmes një komunikate për media, misioni për sundim të ligjit EULEX, ka tentuar të shfajësohet për rastin e djeshëm, kur kishte shkuar për ta arrestuar personin i cili veç ishte në burg duke vuajtur dënimin.
“Përkitazi me lajmin e djeshëm lidhur me urdhër arrestin e lëshuar nga një gjyqtar ndërkombëtar për një person i cili tashmë gjendej në burg, EULEX-i e konsideron çështjen të jetë kompetencë e institucioneve relevante të Kosovës.
Personi në fjalë është paraqitur në institucionin përkatës, por ky institucion nuk ia ka përcjellë komunikimin gjykatës. Ky incident paraqet një gabim teknik brenda institucioneve përkatëse, i cili duhet të adresohet me kohë, për të përmirësuar efikasitetin e administrimit të drejtësisë në Kosovë”, thotë EULEX në komunikatë.
Aty thuhet gjithashtu se EULEX-i është, si gjithmonë, në dispozicion të Policisë së Kosovës dhe Shërbimit Korrektues të Kosovës, për të përmirësuar kualitetin e administrimit të drejtësisë në Kosovë.
EULEX dje në mëngjes kishte zhvilluar një aksion në shtëpinë e Shaban Sylës, në Kishnarekë me qëllim të arrestimit të tij, si i dënuar në rastin “Bllaca”, megjithatë, EULEX nuk e arrestoi për shkak se ai kishte një muaj e gjysmën që vuante dënimin në Burgun e Dubravës, shkruan Koha.net.
Kështu thotë djali i tij, Iliazi, sipas të cilit, sot rreth orës 5:00 të mëngjesit, pjesëtarë të policisë së EULEX-it dhe ata të Njësisë Speciale të Kosovës kanë trokitur në dyert e familjes Syla në fshatin Kishnarekë të komunës së Drenasit për të kërkuar kryefamiljarin, i cili tashmë është duke e vuajtur dënimin.
Ai tregoi që i ati i tij, Shaban Syla për katër vite e gjysmë ka qenë në arrest shtëpiak, ndërsa që një muaj e gjysmë është duke e vuajtur dënimin në Burgun e Dubravës.
