Esad Dujaka
Ndoshta jam bërë si vesvese nga e shkuara kur rrugëve të Prishtinës ngarednin vetura të policisë serbe, lëshonin alarmin deri në fund dhe kështu dëshironin të dëshmonin se janë “zoti vet”.
Po sot, ç’po ngjet se?
Dal të pi kafe me mikun në një nga rrugët qendrore të këtij qyteti ku kalova një jetë njeriu, por nuk më lënë të qetë veturat me drita rotative! Veturë zyrtare, nuk e di se kush është aty, pos nga larg vërej se është “jeep” me xhama e ngjyrë të zezë si korbi.
Pa kaluar dhjetë minuta një veturë tjetër policie që përcjell xhipin e zi zyrtar dhe shpërthejnë trafikun, kalojnë edhe në dritë kuqe në semafor kurse ky alarm vërtetë më rrënqeth, më kthen në ditët e kaluara kur nuk ishim veç se një krijesë njerëzore që e mbyste frika por e mbante dëshira e madhe për të qenë i lirë.
Pas asaj frike që nuk mund t’ia shpjegoj vetes, më vjen edhe një revoltë e brendshme që më bënë t’i dalë përpara asaj veure zyrtare. T’ia shoh fytyrën mirë atij “zyrtari” që lejon të më trazojë mua, ty, atë tjetrin dhe të gjithë ne!
Hej, nuk kemi paguar taksa që të blejmë vetura të shtrenjta zyrtare e t’i grahim si të çmendur për mjedis qytetit duke çuar në këmbë edhe pëllumbat edhe ashtu të rrallë, e lëre më njerëzit!?
Kam parë, keni parë edhe ju me siguri, se si në shtetet e civilizuara kalon madje edhe kryeministri, kancelari apo presidenti me dy policë që i shkojnë përpara në motocikleta dhe një veturë që pa zhurmë shkon rrugës kurse njerëzit ecin për punët e veta, askush askë nuk e trazon, nuk e irriton, nuk ia grish nervat si te na, në këtë qoshe të Ballkanit…
Sa e di, ka një ligj në këtë shtet tonin që e saktëson mirë se kush ka të drejtë të ketë drita rotative mbi veturë!
Ka nen ligji që përcakton momentin se kur përdoret alarmi i veturave zyrtare por edhe atyre të policies.
Pse nuk zbatohet?
Para sa vitesh kjo kompetencë i ishte lënë drejtorit të Policisë së Kosovës që të vepronte e të lëshonte vendime të veçanta për ta rregulluar këtë çështje.
Aman drejtor (i Policisë) të lutem shumë: Zbatoje Ligjin dhe mos e thyej kurrizin para të tillë “zyrtarëve”, sepse “zyrtarët” edhe të këtij soji shkojnë e vijnë kurse unë, e shumë si unë, jemi me ligjin e me ty nëse e respekton!
Sepse kështu ke respektuar vullnetin e popullit –të SOVRANIT, kështu ke respektuar shtetin!
Zyrtarët e Kosovës ka kohë që janë bërë tepër të vegjel. Kot që angazhojnë eskorta me drita e me alarme. Ato nuk e kthejnë shkelqimin e tyre, sepse ai ka shkuar për “lesh”! Bile neve të paktën, na leni rehat.
