Eskobar për herë të parë viziton Maqedoninë

TË FUNDIT

Me Maqedoninë e Veriut jo vetëm që jemi miq por edhe partnerë dhe aleatë, tha gjatë vizitës së parë në vendin tonë zv.ndihmësi i SHBA-ve për Evropë dhe përfaqësuesi special për Ballkanin Perëndimor, Gabirel Eskobar. Përfaqësuesi special, i cili vlerësohet si “buldozer” në avancimin e proceseve evropiane, në rajon e përcjelli mbështetjen e fuqishme të Qeverisë amerikane për integrim të shpejtë të Maqedonisë në BE.

 “Administrata jonë fuqishëm mbështet integrimin e shpejtë evropian të Maqedonisë së Veriut dhe ne punojmë me partnerët tanë evropian që të jemi të sigurt që kjo do të ndodh së shpejti. Mendoj se të gjithë pajtohemi se RMV është pjesë e Evropës, në mënyrë kulturore, historike dhe ekonomike është pjesë e Evropës dhe ju duhet të keni ulësen tuaj në tavolinë. Në këtë aspekt vazhdojmë t’i mbështetim përpjekjet në procesin e integrimeve evropiane”, tha Gabriel Eskobar – Përfaqësues Special i SHBA-së në Ballkanin Perëndimor.

Eskobar u largua nga konferenca për media pa lejuar që t’i parashtrohen pyetje për atë se cili do të jetë misioni i tij për tejkalimin e kontestit me Bullgarinë dhe nëse do të ketë takim në Sofje. Para pak kohësh, ministri për punë të jashtme, Bujar Osamni, tha se deri më 14 dhjetor, kur duhet të mbahet Këshilli i Evropës, do të ketë mjaftueshëm kohë që të arrihet marrëveshje me Bullgarinë. Por nga ana tjetër, Sofja dërgon porosi se deri kah mesi i dhjetorit nuk ka asnjëfarë shanse që të formohet Qeveria e re bullgare.

 “Edhe pas 14 dhjetorit, në çfarëdo dite deri në fund të viti, kryesimi slloven mund të thirr takim të jashtëzakonshëm të ministrave për Evropë nëse merr informacion se Republika e Bullgarisë është e gatshme të mbështesë kornizën negocuese dhe vendimin për fillim të negociatave. Kjo do të thotë se i gjithë dhjetori, ndërsa kuptohet edhe periudha që vijon. Shënjestra jonë ende është dhjetori”, u shpreh ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.

Përndryshe Eskobar kishte takim me kryeministrin Zoran Zaev, zv.kryeministrin Nikolla Dimitrov si dhe me Presidentin e vendit, Stevo Pendarovskin, ku, siç thonë nga kabineti i tij, është biseduar për raportet e Maqedonisë me SHBA-në, si dhe për gjendjen në rajon.