Një mesazh nëpërmjet rrjeteve sociale, kaq larg janë studentët nga plagjiatura, gjegjësisht nga angazhimi i personave të tretë për kryerje të punimit akademik.
Profesori universitar Agim Rushiti, njëkohësisht drejtor i Agjencisë për Cilësi në Arsim të Lartë thotë se ky fenomen në vendin tonë është kthyer në diçka krejt normale, por që ndikon shumë negativisht.
“Për të mos lejuar një gjë të tillë duhet të gjitha institucionet, para se gjithash ato që janë kompetente për mbarëvajtjen e zhvillimit normal të aktivitetit akademik duhet të mbajnë një përgjegjësi se si dhe çfarë mekanizma duhet të përdorim për të sanksionuar një fenomen të tillë”.
Rushiti theksoi se fatkeqësisht edhe një pjesë e vetë stafit akademik të universiteteve kanë mangësi në punimet e tyre akademike.
“Mjerisht, ashtu siç theksova në Republikën e Maqedonisë veçanërisht në institucionet e arsimit të lartë, e them me përgjegjësi të plotë se kemi shumë, shumë individë që ndoshta tezat e tyre të doktoratave dhe të magjistraturës, ndërsa të cilët zhvillojnë aktivitet si bashkëpunëtorë asistent e madje edhe si ligjërues nuk i kanë në rregull. Këtë fakt e tregojnë edhe inspektimet e shumta që bëhen”.
Megjithatë ai shton se në vend shumë pak është e rregulluar kjo çështje juridikisht.
Në këtë drejtim angazhimi i personit të tretë për kryerje të punimit përveç se në kuptimin tekstual të fjalës, nuk paraqet plagjiaturë, sipas nenit 18 të Ligjit për të drejtat autoriale për të njëjtin punim vështirë se kontestohet autorësia.
“Si autor konsiderohet personi emri, pseudonimi, kodi ose shenjë tjetër e të cilit në mënyrë të zakonshme është e shënuar në vepër, përkatësisht kopjet e saj ose është e shënuar në kohën e botimit të veprës, derisa në përputhje me këtë ligj nuk provohet e kundërta”, thotë neni 18 alinea 1 i Ligjit për të drejta autoriale.
Ndryshe, profesori Rushiti shtoi gjithashtu se në rastet kur zbulohet se një punim është i blerë, i njëjti shfuqizohet dhe si pasojë duhet të tërhiqet thirrja akademike që personi ka fituar me këtë punim.
