Është dorëzuar “propozimi i fundit” për Kosovën dhe Serbinë, informon Borell nga Tirana

TË FUNDIT

Bashkimi Evropian (BE) ka dorëzuar në Kosovë e Serbi versionin e fundit të propozimit më të ri në tavolinën e dialogut, këtë e ka konfirmuar përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell në Samitin e BE-së me shtetet e Ballkanit Perëndimor që po mbahet në Tiranë.

Borrelli ka thënë se emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka dorëzuar “versionin e fundit të propozimit që është vendosur në tavolinë”.

Lajçaku ka dorëzuar këtë propozim të hënën në Serbi, e në Kosovë një ditë më pas. Vetë Lajçaku ka thënë se propozimi është version i ri i “dokumentit që e ka paraqitur në shtator”.

Propozimi i fundit që është diskutuar në dialogun Kosovë – Serbi është propozimi i njohur si “franko-gjerman”, për të cilin është thënë se është propozim i BE-së, i mbështetur nga dy shtetet. Kryeministri Albin Kurti pati deklaruar se ka pasur dakordim që për këtë propozim palët të arrijnë marrëveshje deri në mars të vitit të ardhshëm.

Megjithatë, Borrelli e Lajçaku kanë refuzuar të japin afate.