Escobar dhe Lajçak presin propozime konkrete nga Kosova dhe Serbia

TË FUNDIT

I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe ai i BE-së për dialogun, Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, thanë se takimet që po realizojnë në Prishtinë, janë për të parandaluar përshkallëzimin e situatës më 1 shtator. Pas takimit me krerët institucionalë të Kosovës, Escobar tha se pret që Kosova dhe Serbia të kenë një propozim konkret për zgjidhjen e çështjes së targave dhe dokumenteve serbe. “Të dy palët na kanë siguruar se nuk duan përshkallëzim dhe dhunë më 1 shtator. Tani ne jemi këtu që të sigurohemi që ky vullnet i shprehur dhe i gjithë optimizmi të përkthehet në një propozim konkret”, tha Escobar për mediat, pas takimeve që zhvilloi në Presidencë dhe Kryeministri të Kosovës. Escobar përsëriti se mbështet dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, por edhe Kosovën e Serbinë për të gjetur zgjidhje, siç tha ai, “për këto çështje të vështira”.