Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan sot deklaroi se Turqia vazhdon me përpjekjet e saj për zgjidhjen e luftës vijuese midis Rusisë dhe Ukrainës dhe shtoi se për këtë qëllim do të bisedojë me homologët e tij nga të dyja palët e konfliktit, njofton agjencia Anadolu.
“Me qëllim që të zgjidhet kjo krizë, të dielën do të kem bisedime me presidentin rus Vladimir Putin. Gjithashtu do të bisedoj me presidentin ukrainas Volodimir Zelenski”, deklaroi Erdogan në “TRT Uorld Forum” në Stamboll.
Erdogan tha se Turqia dëshiron të forcojë më tej Marrëveshjen e Korridorit të Grurit, për të cilën ai ndihmoi të arrihet këtë verë, “dhe sipas fjalëve të Putinit, të dërgojë ushqim përmes këtij korridori të grurit në vendet e pazhvilluara”.
Më 22 korrik, Turqia, KB-ja, Rusia dhe Ukraina nënshkruan një marrëveshje në Stamboll për të rifilluar eksportet e grurit nga tre porte ukrainase në Detin e Zi, të cilat u ndërprenë në shkurt për shkak të luftës së Rusisë kundër Ukrainës, përkujton Anadollu.
Disa ditë para skadimit të planifikuar, kontrata e grurit u zgjat edhe për 120 ditë të tjera, duke filluar nga 19 nëntori.
Erdogan tha se nga fillimi i krizës, Turqia ka zhvilluar diplomaci intensive me parimin se nuk do të ketë fitues në luftë, duke shtuar se vendi i tij është një pionier i diplomacisë së paqes që do të jetë shembull për botën.
“Derisa fuqishëm e kemi mbrojtur integritetin territorial të Ukrainës, ne kemi kundërshtuar nxitjen e tensioneve në rajon me politika irracionale ndaj Rusisë”, shtoi Erdogan.
