Turqia është e gatshme të bëjë pjesën e saj për t’i dhënë fund tensioneve midis Ukrainës dhe Rusisë, tha presidenti turk Rexhep Taip Erdogan, raporton Anadolu.
Deklaratat e presidentit Erdogan erdhën në një konferencë të përbashkët shtypi me homologun e tij ukrainas Volodymyr Zelensky në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev.
Përpara konferencës, dy liderët diskutuan për mbi tre orë zhvillimet në rajon dhe marrëdhëniet dypalëshe.
“Unë kam theksuar se Turqia do të ishte e lumtur të mirëpriste një samit (mes Rusisë dhe Ukrainës) në nivel liderësh, ose diskutime në nivel teknik”, tha Erdogan.
“Dua të ritheksoj se ne vazhdojmë të mbështesim integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës, duke përfshirë Krimenë”, tha ai, duke shtuar se Ankaraja i kushton rëndësi rolit të Misionit Special të Monitorimit të OSBE-së në Ukrainë në konfliktin e Donbasit.
Në sferën e ekonomisë, Erdogan tha se ata shkëmbyen mendime mbi hapat për të rritur vëllimin e tregtisë në 10 miliardë dollarë dhe se marrëveshja e saponënshkruar e tregtisë së lirë do të ketë ndikim pozitiv në këtë drejtim.
Takimi i dy liderëve përkoi me 30-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Turqisë dhe Ukrainës. Pas takimit kokë më kokë, u mbajt edhe mbledhja e 10-të e Këshillit Strategjik të Nivelit të Lartë me pjesëmarrjen e delegacioneve shoqëruese.
Palët turke dhe ukrainase kanë nënshkruar gjithsej tetë marrëveshje bashkëpunimi dhe memorandume mirëkuptimi.
