Erdogan shihet në limuzinë të veçantë, të prodhuar nga kompania turke Togg

TË FUNDIT

Një version limuzinë e personalizuar e makinës së parë elektrike të Turqisë, SUV Togg T10X, u shfaq për herë të parë publikisht të martën, përcjell TV21. Limuzina transportoi Presidentin Rexhep Taip Erdogan gjatë ceremonisë për dorëzimin e tankeve vendase Altay, për forcat e armatosura në Ankara.

Togg i prodhuar posaçërisht, me bosht të zgjatur, tërhoqi vëmendjen me trupin e gjatë, mungesën e dyerve anësore dhe kapakët e pasqyrave me ngjyrë blu.

Ky prototip unik, i krijuar nga inxhinierët e Togg, ka katër rreshta ulësesh dhe çati të plotë panoramike, duke ofruar një interier të gjerë në stil limuzine, shkruan Daily Sabah.

Një stemë presidenciale u pa e vendosur mbi kapakun e motorit elektrik në pjesën e përparme të makinës.

Zyrtarët e kompanisë thonë se Togg me bosht të gjatë nuk ka për qëllim prodhim masiv ose shitje. Ai është zhvilluar ekskluzivisht për vizita në fabrikë dhe demonstrime speciale.

Modeli limuzinë është ndërtuar mbi platformën e zgjatur të T10X.

Konvertimet e tilla luksoze janë të rralla në botë dhe zakonisht shihen në automjetet Hummer të modifikuara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, ku dizajnet e kuadrit të zgjatur përdoren për qëllime ceremoniale ose ekskluzive.

Prodhimi masiv i T10X nisi në vitin 2022, me porosi të nisura në mars 2023 dhe dërgesat që filluan një muaj më vonë.

Kompania shiti rreth 30,000 njësi të T10X në Turqi vitin e kaluar, në vitin e parë të plotë të dërgesave. Shitjet e këtij viti deri në shtator u rritën rreth 30%, duke arritur në rreth 22,131 njësi.

Së fundmi Togg lançoi modelin sedan T10F në Turqi më 15 shtator, dy javë para nisjes së shitjeve në Gjermani, duke shënuar hyrjen zyrtare në tregun evropian. Kompania gjithashtu planifikon të hyjë në Francë dhe Itali në periudhën e ardhshme.

T10F u rendit si modeli i dytë më i shitur elektrik në shtator me 1,194 njësi të shitur. Tesla kryesoi shitjet e veturave elektirke me 1,664 njësi, ndërsa T10X u rendit i treti me 1,061 njësi.

Përveç SUV dhe sedan, Togg do të prodhojë edhe katër modele të tjera – një C-hatchback, B-SUV dhe B-MPV.

Kompania po punon tashmë për modelin SUV të segmentit B, të quajtur T8X, me qëllim të prodhojë 1 milion automjete në pesë segmente deri në vitin 2030.