Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan e akuzoi sot opozitën dhe disa profesorë universitarë për nxitje të demonstratave studentore dhe hodhi poshtë kritikat e SHBA-së dhe Bashkimit Evropian për represion policore.
“Ngjarjet në Universitetin e Bosforit nuk kanë të bëjnë me studentët. Partitë e opozitës dhe disa profesorë universitarë janë pas tyre”, tha Erdogan.
Protestat filluan në fillim të këtij viti kur një njeri i afërt me qeverinë u emërua rektor i Universitetit të Bosforit. Represioni mbi protestuesit u intensifikua këtë javë, ndërsa policia shpërndau disa tubime, duke përdorur gaz lotsjellës dhe plumba gome dhe arrestoi qindra persona.
MPB-ja turke kumtoi dje se 528 persona janë arrestuar në lidhje me demonstratat e muajit të kaluar, prej të cilëve 498 janë liruar, 108 prej të cilëve ishin nën mbikëqyrjen gjyqësore.
Erdogan të mërkurën i quajti terroristë këta protestues dhe i kritikoi grupet LGBT-së, për të drejtat e të cilëve përkushtohen protestuesit.
SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian kanë shprehur shqetësim në lidhje me shtypjen e demonstratave studentore dhe kritikat ndaj popullatës së LGBT-së. Erdogan hodhi poshtë kritikat dhe akuzoi SHBA-në dhe Francën për dështimin për të gjetur zgjidhje për problemet e tyre të brendshme.
