Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan duke folur rreth operacionit të vendit të Turqisë në rajonet veriore të Irakut dhe Sirisë, tha se operacionet me avionë, artileri, dronë të armatosur janë vetëm fillimi, raporton Anadolu. Erdogan mbajti një fjalim në mbledhjen e grupit parlamentar të AK Partisë në Kuvendin e Madh Popullor të Turqisë.
Duke theksuar se kanë qëndruar besnik ndaj premtimeve të tyre lidhur me kufijtë e Sirisë, Erdogan tha se nëse bashkëbiseduesit e tyre nuk kanë përmbushur kërkesat e marrëveshjes, atyre u ka lindur e drejta për t’u kujdesur për veten.
“Operacionet me avionë, artileri, dronë të armatosur janë vetëm fillimi”, tha presidenti turk duke paralajmëruar për një operacion tokësor kundër grupeve.
“Forcat të cilat dhanë garanci se Turqia nuk do të përballet me ndonjë kërcënim nga rajonet që i mbajnë nën kontroll në Siri, nuk i kanë mbajtur premtimet”, tha ai.
Erdogan tha se mesazhi ynë për ata që mundohen ende të gjunjëzojnë Turqinë me metoda tinëzare është: “Nuk do të keni sukses”.
Herët të dielën, Tirqia nisi operacionin “Kthetra-Shpata”, një fushatë ajrore ndërkufitare kundër grupit PKK/YPG përgjatë kufirit të Irakut dhe Sirisë.
Ministri i Mbrojtjes së Turqisë, Hulusi Akar, sot njoftoi se vendi i tij në kuadër të operacionit “Kthetra-Shpata” ka neutralizuar 254 kundërshtarë ndërsa ka goditur 471 objektiva deri më tani.
Operacioni ajror pasoi sulmin terrorist në rrugën e frekuentuar “Istiklal” të Stambollit, ku humbën jetën 6 persona ndërsa 81 të tjerë u plagosën.
