Erdogan në Beograd për takime me Vuçiqin

TË FUNDIT

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, do të takohet me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, në Beograd, në vizitën e tij dyditore në Serbi.

Ceremonia e mikpritjes së Erdoganit, i cili ka arritur në mbrëmjen e së enjtes në Beograd, do të mbahet në orën 11:00 para Pallatit të Serbisë.

Përveç takimit mes dy presidentëve, do të organizohet edhe një takim i lartë për bashkëpunim në mes të Serbisë dhe Turqisë.

Pas këtyre takimeve, dy presidentët pritet të nënshkruajnë marrëveshje dhe të flasin para mediave.

Pasi e ka pritur Erdoganin në aeroport, Vuçiq ka thënë se kthimi i presidentit turk në Serbi është një tjetër mundësi për t’i forcuar marrëdhëniet miqësore dhe bashkëpunimin.

“Besoj se gjatë qëndrimit në Beograd, në do të punojmë për t’i përmirësuar lidhjet ekonomike, kulturore dhe politike mes shteteve tona”, ka thënë Vuçiq.

Në ditën e mbërritjes së presidentit turk, Qeveria e Serbisë i ka miratuar disa memorandume mirëkuptimi në mes të Serbisë dhe Turqisë, në fusha si punësimi, siguria sociale, ekonomia, industria dhe teknologjia, media dhe informacioni, rinia dhe sporti, dhe si menaxhimi i emergjencave.

Kjo është vizita e katërt e presidentit turk në Serbi, prej vitit 2017.

Para vizitës në Beograd, ai ka qenë në Tiranë, prej ku i ka premtuar Shqipërisë dhurimin e dronëve kamikazë dhe ka marrë pjesë në përurimin e një xhamie të ndërtuar me financim të Turqisë.

Në vizitën paraprake të Erdoganit në Beograd, në shtator të vitit 2022, Serbia ka thënë se dëshiron të blejë dronët Bayraktar, por blerja e tyre nuk është realizuar kurrë.

Atëbotë ishte arritur një protokoll që u ka mundësuar shtetasve të Serbisë dhe Turqisë që të udhëtojnë në dy vendet vetëm me letërnjoftime.

Turqia është e katërta në listën e shteteve prej ku ka importuar më së shumti Serbia më 2023.

Kompanitë turke janë prezente në Turqi në tekstil, ndërtimtari, industri mekanike, banka dhe turizëm.

Dy vendet kanë marrëdhënie të mira, por nuk pajtohen në çështjen e Kosovës.

Ankaraja e njeh pavarësinë e këtij shteti, ndërsa Serbia jo.