Erdogan: Do të sigurojmë kthimin e 1 milion sirianëve, të gjithë kohën dhe energjinë tonë do t’ia kushtojmë plotësisht punës

TË FUNDIT

Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan, në fjalimin e tij tradicional pas zgjedhor ka deklaruar se “fitues është Turqia dhe demokracia”, raporton Anadolu.

“Si çdo vullnet i popullit tonë, edhe ky rezultat zgjedhor është më se i mirëpritur për ne. Fitues nuk jemi vetëm ne. Fitues janë Turqia dhe demokracia”, tha presidenti Erdogan.

Siç tha Erdogan, sot nuk ka humbur askush dhe të gjithë 85 milionë qytetarët kanë fituar.

“Tani është koha për t’u bashkuar dhe për t’u integruar rreth synimeve dhe ëndrrave tona kombëtare”, shtoi ai.

Më tej, presidenti turk tha se “në një ndër zgjedhjet më të rëndësishme të jetës tonë politike shumë-partiake”, kombi turk mori vendimin në favor të “Shekullit të Turqisë”.

“Tashmë me përfundimin e zgjedhjeve, të gjithë kohën dhe energjinë tonë do t’ia kushtojmë plotësisht punës, veprave dhe shërbimeve”, tha ai.

“Do të vazhdojmë rrugëtimin me siguri dhe stabilitet. Projektojmë një ekonomi prodhuese me një reputacion ndërkombëtar të fokusuar në menaxhim financiar, investime dhe punësim”, theksoi presidenti turk.

Presidenti turk foli edhe për refugjatët sirianë që strehohen në Turqi, duke njoftuar se deri më sot autoritetet turke kanë mundësuar kthimin vullnetar të afro 600 mijë sirianëve në zonat e sigurta në territorin e Sirisë.

“Me një projekt të ri akomodimi që po e realizojmë me Katarin, do të sigurojmë kthimin e 1 milion sirianëve të tjerë brenda pak vitesh”, tha ai.

Kreu i Këshillit Suprem Zgjedhor (YSK), Ahmet Yener, njoftoi se në raundin e dytë të zgjedhjeve të mbajtura sot, Erdogan është rizgjedhur president i Turqisë. Duke folur me gazetarët në kryeqytetin Ankara, kreu i YSK-së tha se Erdogan në raundin e dytë fitoi presidencën e Turqisë kundrejt kandidatit të opozitës, Kemal Kılıçdaroglu.

Sipas rezultateve preliminare, tha Yener, presidenti aktual Erdogan fitoi garën zgjedhore me 52,14 për qind, ndërsa Kılıçdaroglu grumbulloi 47,86 për qind të votave. Ai shtoi se deri më tani në mbarë vendin janë hapur 99,43 për qind e kutive të votimit.