“Detet tona janë shndërruar në varre refugjatësh”, ka thënë presidenti Rexhep Tajip Erdogan pas samitit të udhëheqësve të G-20 në Nju-Delhi.
Presidenti i Turqisë bëri thirrje për një botë më të drejtë, si dhe për eliminimin e pabarazive globale.
“Pavarësisht besimit apo kulturës sonë, të gjithë jemi anëtarë të një familjeje me 8 miliardë njerëz. Askush prej nesh nuk mund të ndjehet i sigurt në një botë ku fëmijët vdesin nga uria, detet tona po kthehen me shpejtësi në një varrezë të madhe refugjatësh, miliona njerëz po largohen nga shtëpitë për shkak të luftërave dhe jeta e njeriut po bëhet e pavlerë. Ne besojmë se një botë më e drejtë është e mundur,” tha Erdogan në një konferencë për shtyp.
Turqia ofron ndihmën më të madhe ndaj fenomenit të emigracionit në proporcion me të ardhurat kombëtare, tha presidenti turk, duke përsëritur se Ankaraja po pret rreth 4 milionë refugjatë sirianë, ndërkohë që përpiqet të sigurojë kthimin e sigurt të sirianëve në vendin e tyre.
“Rreth 600 mijë sirianë janë rikthyer në vendin e tyre,” tha presidenti turk.
