Ende nuk dihet nëse do të vazhdojë seanca për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit

TË FUNDIT

Nëse sot në Kuvend parashtrohet propozimi me nënshkrime prej së paku 20 deputetëve, mund të pritet kryesuesi Talat Xhaferi, i cili njëherit duhet sërish të zgjidhet kryetar i shtëpisë ligjvënëse, të caktojë vazhdim të mbledhjes konstituive.

Të gjitha grupet e deputetëve jozyrtarisht janë njoftuar se vazhdimi i mbledhjes mund të caktohet sot në mesditë. Por, është e paqartë nëse do të mbahet vazhdimi i mbledhjes konstituive dhe nuk ka informata zyrtare nëse janë mbledhur nënshkrimet për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

Gjatë ditës së djeshme pati bisedime mes grupeve të deputetëve, por disa mediume shkruan se problemi është mes deputetëve të BDI-së për shkak të ndarjes së resorëve.

Sipas marrëveshjes mes LSDM-së dhe BDI-së, në këtë funksion sërish do të propozohet spikeri i deritanishëm, Talat Xhaferi. Sipas informatave nga Kuvendi, deputetët dje mblodhën nënshkrime për propozimin që Xhaferi të jetë edhe një mandat në krye të Kuvendit.

Mbledhjen për zgjedhje të Xhaferit e paralajmëroi lideri i BDI-së, Ali Ahmeti të mërkurën, gjatë kumtimit të vendeve ministrore në takimin partiak të kryesisë më të lartë.

Me zgjedhjen e Xhaferit duhet edhe të zyrtarizohet shumica në Parlament pas marrëveshjes së arritur për koalicion qeveritar mes LSDM-së dhe BDI-së, ndërkaq në të cilën hyjnë partitë nga koalicioni “Mundemi” dhe PDSH e Menduh Thaçit. Sipas numrit, shumica në pushtet do të kishte 62 deputetë.

Kryetari i Kuvendit zgjidhet me së paku 61 vota nga numri i përgjithshëm i deputetëve.

Pas zgjedhjes, kryetari i Kuvendit në ditët në vijim do të duhet të caktojë edhe mbledhje për zgjedhje të Qeverisë së re të cilën do ta kryesojë lideri i LSDM-së, Zoran Zaev. Afati për parashtrim të propozimit për zgjedhje të Qeverisë së re është 2 shtatori.