Ende mbesin shumë karrige të zbrazura

TË FUNDIT

Edhe pse numri i shfaqjeve teatrore, i filmave të dhënë nëpër kinema, ekspozita në galeri të ndryshme, është shumë i madh, megjithatë mungon publiku dhe vizitorët. Të dhënat statistikore në Kosovë tregojnë për një rënie të interesimit të publikut kosovar për teatrin, kinemanë dhe në përgjithësi për kulturën.

Në statistikat e fundit për kulturën që i ka publikuar Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK): “Statistikat e Kulturës 2013”, numri i shfaqjeve në Teatrin Kombëtar në Prishtinë ka qenë 8 premiera dhe 150 repriza, ndërsa numri i shikuesve ka qenë vetëm 7500 shikues.

Po sipas këtij publikimi rezulton se edhe numri i filmave të shfaqur në kinematë dhe shtëpitë e kulturës nëpër komuna e Kosovës në vitin 2013 ishte i madh-127, prej tyre 43 filma vendorë, ndërsa 84 të huaj, por pati pak shikues-gjithsejtë 60.414 shikues.

Artistët dhe ekspertët japin arsyetime të ndryshme. “Ka munguar planifikimi i repertoreve ne Teatrin Kombëtar të Kosovës dhe ne teatrot e tjera … sigurisht edhe për mungesë buxhetore, por edhe duke krijuar projekte marramendësisht të shtrenjta me autorë të dyshimtë të huaj, e të cilat projekte nuk kanë arritur sukses që të prezantohen së paku në ndonjë festival për ta prezantuar Kosovën. Dhe krejt kjo për të plotësuar shijet dhe dëshirat e klaneve që kanë udhëhequr me teatër”, ka thënë aktori, regjisori dhe producenti nga Prishtina, Avni Dalipi.

Shkrimtari Rushit Ramabaja është autor i disa dramave, me disa prej të cilave edhe ka marrë shpërblime-kombëtare dhe ndërkombëtare. Në një prononcim për “Albinfo.Ch” ai tha se ikja e publikut nga teatri vjen për shkak se teatri shqip gjithnjë e më shumë po ikë nga tradita dhe identiteti i vet. / 21MEDIA