Emri i ri i sallës “Boris Trajkovski” është “T Arena”

TË FUNDIT

Qendra Sportive “Boris Trajkovski” dhe “Telekomi i Maqedonisë” kanë arritur marrëveshje bashkëpunimi, pas së cilës salla e madhe sportive është riemërtuar në “T Arena”. E gjithë qendra sportive “Boris Trajkovski” ka marrë një pamje të re me ngjyrën karakteristike magenta të brendit “T”.

“Ky është një moment i rëndësishëm për ne, për ‘Boris Trajkovski’ dhe për Telekomin e Maqedonisë, i cili rikthehet sërish i pranishëm në këtë arenë. Përveç zbukurimit vizual të hapësirave të jashtme dhe të brendshme, ky partneritet do të përmirësojë edhe kushtet për funksionimin e T Arenës. Pres që kjo të jetë një bashkëpunim afatgjatë që në të ardhmen do të sjellë rezultate pozitive. Së bashku do të punojmë për tërheqjen e ngjarjeve të reja në fushën e sportit, kulturës dhe argëtimit”, deklaroi drejtori i Q.S. “Boris Trajkovski”, Daniel Apostollovski.

Kënaqësi për marrëveshjen e arritur shprehu edhe drejtori ekzekutiv i Telekomit të Maqedonisë, Goran Markoviq.

“Telekomi prej 25 vitesh i lidh njerëzit në Maqedoni, ndërsa me këtë partneritet do të përpiqemi të sjellim vlera të reja për qytetarët. Jemi të nderuar që hapjen e T Arenës ta shënojmë me një ngjarje të madhe që do të mbahet më 2 shtator dhe do të jetë pjesë e shënimit të 35-vjetorit të pavarësisë së Maqedonisë. Pres që në këtë arenë në të ardhmen së bashku të festojmë sukseset e sportistëve të Maqedonisë, të organizojmë ngjarje të mëdha muzikore dhe të kalojmë momente të bukura argëtimi”, tha Markoviq.

Në kuadër të Q.S. “Boris Trajkovski” ndodhen edhe një sallë më e vogël sportive, një pistë patinazhi, pishinë dhe park ujor. Drejtori Apostollovski është optimist se parku ujor do të vihet në funksion vitin e ardhshëm, ndërsa pishina aktualisht nuk është në përdorim, pasi çatia është dëmtuar nga stuhia e madhe që goditi Shkupin javën e kaluar.