Emrat e aktivistëve të VV të cilët u arrestuan sot

TË FUNDIT

E plotësuar
​PK konfirmon: Shtatë persona u arrestuan
​Policia e Kosovës (PK) në komunikatën e lëshuar për media sqaron se sot në ora 14:00, policia ka marrë informacionin se një grup personash duke mos përfillur urdhrat e policisë po tentojnë të futen në objektin e Ministrisë së Drejtësisë.

Menjëherë pas informacionit, policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe duke parë shpërfilljen e vazhdueshme të urdhrave të zyrtarëve policor nga ana e grupit, ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në bazë të autorizimeve policore, gjë që ka rezultuar me shoqërimin e shtatë personave në stacionin policor Qendra në Prishtinë.

Përderisa policia ka vepruar me qëllim të neutralizimit dhe vënies nën kontroll të situatës së krijuar, tre zyrtarë policor kanë marrë lëndime me ç’ rast të njëjtëve u është ofruar ndihma mjekësore, thuhet në komunikatën e policisë, sipas së cilës do të bëhet një hetim i plotë i rastit, dhe pas marrjes së rekomandimit nga ana e prokurorit të shtetit do të vazhdohet me procedim të mëtejmë.

————————-
Agron Kabashi, Shkëlqim Morina, Alban Makolli, Veron Hasani, janë vetëm disa prej aktivistëve të arrestuar, ndërkohë që shumica e aktivistëve janë rrahur nga policia.

Kështu thuhet në një reagim të Vetvendosjes, sipas të cilëve Policia e Kosovës intervenoi brutalisht duke arrestuar dhe përdorur dhunë me shkopinj gome e sprej lotsjellës ndaj aktivistëve paqësorë.

“Qeveria e Isa Mustafës ka filluar të frikësohet edhe nga fletushkat. Njësoj siç frikësohet çdo pushtet shtypës nga e vërteta që e demaskon. Çmimi që Kosova po e paguan për “Zajednicën” është i papranueshëm për qytetarët e Kosovës. Në njërën anë Kosova po ndahet etnikisht, e në anën tjetër qytetarëve po u kthehen masa të dhunshme”, thuhet në reagim.