“Kërkesa për shfuqizimin e vendimit është dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese që në mars të vitit 2025”, kështu tha BDI për shfuqizimi i vendimit për emërtimin e rrugëve në Tetovë që siç tha, është një goditje e rëndë për identitetin dhe dinjitetin e shqiptarëve. BDI kritikoi VLEN-in pasi nuk kanë ndërmarrë hapa juridik për mbrojtjen e vendimit të vitit 2007.
BDI tha se pretendimi i VLEN se vendimi për emërtimin e rrugëve gjoja nuk ka qenë në fuqi është argumenti më i dobët dhe më i paqëndrueshëm që mund të ofrohet ndërkohë që tha se ata nuk mund të ikin nga përgjegjësia
“VLEN nuk mund të ikë nga përgjegjësia. Tetovën e qeverisin prej pesë vitesh. Gjysmëkryetari i Vlen-it, gjegjësisht Kryetari aktual i Komunës ka qenë pjesë e pushtetit qendror edhe në periudhën 2020-2024, për më shumë se dy vite si pjesë e koalicionit qeveritar edhe atë si pjesë e koalicionit “Mozheme”.
Veçanërisht shqetësues është fakti se kërkesa për shfuqizimin e vendimit është dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese që në mars të vitit 2025. Pra, VLEN ka pasur më shumë se një vit kohë për të reaguar, për të ndërmarrë hapa juridikë, për të mbrojtur vendimin dhe për të informuar qytetarët. Nuk bënë asgjë. Sot, në vend të përgjegjësisë, ofrojnë arsyetime të dëshpëruara.
Pretendimi i tyre se vendimi për emërtimin e rrugëve gjoja nuk ka qenë në fuqi është argumenti më i dobët dhe më i paqëndrueshëm që mund të ofrohet. Nëse do të ishte kështu, atëherë sipas logjikës së VLEN-it, Gjykata Kushtetuese po merret me akte që nuk prodhojnë pasoja juridike dhe që ndodhen jashtë qarkullimit juridik. Kjo do të ishte jo vetëm juridikisht e papranueshme, por edhe në kundërshtim me vetë kompetencat e Gjykatës Kushtetuese.
Me këtë arsyetim, VLEN jo vetëm që po e mbron vendimin e Gjykatës kushtetuese por po e demaskon edhe veten. Sa më shumë flasin, aq më e qartë bëhet se nuk kanë as argumente juridike dhe as përgjigje politike për dështimin e tyre.
BDI vlerëson se përgjegjësia politike për këtë zhvillim nuk mund të fshihet me spin-e mediatike. Shqiptarët e Tetovës meritojnë përgjigje se si u lejua që emra si “Iliria”, ”Dervish Cara” dhe “Kongresi i Manastirit” të zëvendësohen me emërtime që nuk pasqyrojnë identitetin dhe historinë e tyre.
Koha e arsyetimeve ka përfunduar. Ka ardhur koha e përgjegjësisë”, tha BDI.
