Para disa ditëve Aleanca për shqiptarët akuzoi kryetaren e Qytetit të Shkupit Danella Arsovska se në tre shkolla të mesme të Shkupit ka sjell vendime joligjore. Gjegjësisht, drejtorët e shkollave: “Koço Racin”, “8 Shtatori” dhe “Arseni Jovkov” janë emëruar pa plotësuar kushtet e nevojshme. I pyetur për këtë çështje, Drejtori Inspektoratit Shtetëror të Arsimit, Halit Ferati tha se gjendja është shumë e trishtueshme pasi drejtorët e shkollave në Shkup emërohen pa asnjë kriter.
“Qyteti i Shkupit që kur unë udhëheq këtë institucion është fenomen trishtues, ku vërtet bëhen shumë shkelje ligjore nga ana e Udhëheqësisë së Qytetit të Shkupit. Unë gjithmonë jam munduar t’i shmang çështjet politike për asye se institucioni që udhëheq unë ka një kod etik, por ka shkelje të shumta në Qytetin e Shkupit. Kemi lëndë për të gjitha shkollat ku janë vërejtur parregullsitë, por ne mund të bëjmë aq sa kemi kompetencat. Kemi drejtorë që nuk kanë as licencë të jenë drejtorë, ku nuk plotësojnë asnjë kriter.”- deklaroi
Halit Ferati – Drejtor i Inspektoratit Shtetëror të Arsimit
Nga Qyteti i Shkupit i bënë thirrje ASH që së pari të shikojnë parregullsitë në komunën e Gostivarit.
“Para se të guxojnë të paraqesin gënjeshtra dhe manipulime në drejtim të Qytetit të Shkupit, i bëjmë thirrje Aleancës për Shqiptarët që fillimisht të shikojnë personelin e tyre dhe të kërkojnë reagim nga organet kompetente shtetërore për marrjen e masave të duhura për veprimet e kundërligjshme të kryetarit të komunës së Gostivarit, e më pas të komentojë për të tjerët.”- thanë nga Qyteti i Shkupit.
Ferati duke folur për problemet nëpër shkollat e mesme tha se shumë drejtorë shkollash kanë vepruar sipas dëshirave të veta politike ose të kryetarit të komunës.
“Më së shumti kohës së fundit, në fillim të vitit akademik parregullsi ka pasur për plotësimi i kuadrit arsimor, problemi i dytë ka qenë për fondin e orëve. Çdo drejtor ka vepruar sipas dëshirave të veta politike apo si e ka urdhëruar kryetari i komunës. / Ka pasur më shumë se 150 ankesa për këto çështje që përmenda më sipër.”- pohoi Halit Ferati – Drejtor i Inspektoratit Shtetëror të Arsimit.
Sa i përket mungesave të librave nëpër shkolla Ferati tha se inspektorati nuk ka kompetenca dhe nuk mund të merr masa për një çështje e cila është nën ingerenca të MASh dhe Byroja për zhvillim të arsimit.
