Elon Musk mbetet personi i parë, pasuria e të cilit vlerësohet se arrin 500 miliardë dollarë, sipas revistës amerikane Forbes. Shumica e pasurisë së tij vjen nga aksionet e prodhuesit të automjeteve elektrike Tesla dhe kompanisë hapësinore SpaceX.
Forbes e ka vlerësuar pasurinë e Maskut rreth 150 miliardë dollarë më shumë se atë të bashkëthemeluesit të Oracle, Larry Ellison. Më vonë, revista e uli pak vlerësimin në 499.1 miliardë dollarë.
Vlerësimi i pasurisë së Maskut është më i vështirë se ai i miliarderëve të tjerë, pasi shumë nga kompanitë e tij nuk janë të listuara në bursë. Musk kaloi kufirin e 400 miliardë dollarëve në dhjetor 2024, mes spekulimeve se Tesla do të përfitonte nga lidhjet e tij me presidentin amerikan të zgjedhur Donald Trump. Ai shpesh vizitonte Shtëpinë e Bardhë në fillim të mandatit të Trumpit, por marrëdhëniet më vonë u përkeqësuan, ndërsa Trump kërcënoi të reduktonte mbështetjen federale për kompanitë e Maskut.
Shitjet e Tesla-s gjithashtu u ulën, pjesërisht për shkak të pikëpamjeve politike të krahut të djathtë të Maskut dhe ndikimit të tij në reduktimet federale dhe shkurtimet e shpenzimeve të shtetit.
Prej atëherë, aksionet e Tesla-s janë rikuperuar, të mbështetura nga pritjet për rritjen e robot-taksive dhe robotikës, si dhe nga një rritje eventuale e shitjeve përpara skadimit të stimujve federalë për automjetet elektrike në fund të shtatorit.
Portofoli i Maskut përfshin gjithashtu platformën e mediave sociale X, zhvilluesin e inteligjencës artificiale X AI dhe kompaninë për implantet e nervave Neuralink. Megjithatë, Tesla mbetet elementi qendror i pasurisë së tij.
Prodhuesi i automjeteve elektrike ofron një plan kompensimi me vlerë potencialisht një trilion dollarë, të kushtëzuar nga arritja e një rritjeje tetëfish të vlerës së tregut, mbajtja e Maskut si drejtor ekzekutiv dhe përmbushja e kushteve të tjera të performancës.