.
Skandalin me anesteziologun në Tetovë, i cili publikoi pamje në TikTok nga reparti i Gjinekologjisë Alternativa e ka vlerësuar si rezultat i paaftësisë së Aleancës për Shqiptarët për të trajtuar me resorët që morën në drejtim. Amir Elezi duke shfaqur një fotografi, akuzoi se anesteziologu në fjalë është anëtar i Aleancës për shqiptarët dhe porositi Arben Taravarin se marrja me politikë nuk është vetëm kombinatorikë kadrovike.
“Asnjë justifikim nuk mban! Për ta qenë skandali edhe më i madh, mjeku që e ka regjistruar videon është fotografuar me ministrin e Shëndetësisë gjatë vizitës së tij në spitalin e Tetovës. I buzëqeshur dhe i lumtur. Me veshje civile, gjë që tregon se mund edhe mos të ketë qenë, por ka ardhur enkas për ministrin”, tha Amir Elezi – AAA.
Por një gjë të tillë e mohoi ministri i shëndetësisë, Fatmir Mexhiti. Ai tha se personi në fjalë nuk është anëtarë i Aleancës për Shqiptarët, por që sipas tij edhe po të ishte, nuk do t’i shpëtonte përgjegjësisë.
“Është e vërtet. Ne para 10 ditëve, diku përafërsisht, kemi qenë në Spitalin e Tetovës. Kemi ecur 4 orë të tëra që të shohim defektet, mos-funksionimin, problemet që janë brenda spitalit. Kjo pjesë e fotografisë ka qenë në pjesën kirurgjike, kolegët kanë kërkuar që të bëjnë foto me mua si ministër. Personin në fjalë as nuk e njoh personalisht, e vërtet është, edhe unë e kam parë pastaj në fotografi. Këtu ne nuk jemi parti, nuk jemi anëtarë të partive. Zotëria në fjalë as që është anëtarë i Aleancës për Shqiptarët, por edhe të ishte i ASH-së, më keq do të kalonte se kaq”, pohoi Fatmir Mexhiti – ministër i Shëndetësisë.
Ndryshe Amir Elezi si kuadër i Alternativës ishte drejtor në spitalin e Tetovës, por me rikunstruimin e Qeverisë ai u shkarkua dhe në vend të tij erdhi Pëllumb Vela nga ASH-së e cila së fundmi u bë pjesë e Qeverisë.
