Pasi elektorët e Kalifornisë, mbrëmë hodhën 55 votat e tyre për ish nënpresidentin Xho Bajden, ai u shpall zyrtarisht fitues i zgjedhjeve.
Kongresi do të konfirmojë votimin për Kolegjin e Elektorëve më 6 Janar dhe dy javë më vonë, në inaugurim, Bajdeni do të betohet si presidenti i 46-të i SHBA-së.
Votimi i djeshëm i elektorëve e konfirmoi zyrtarisht fitoren e demokratit Bajden, diçka që dihej shumë më herët. Në shtete të tilla si Miçigen, Pensilvani, Xhorxhi, Viskonsin dhe Arizona, ku presidenti i tanishëm Donald Tramp e sfidoi fitoren e rivalit të tij, por pa sukses, votuesit hodhën votat e tyre për Bajdenin.
Menjëherë pas votimit, pasi shteti i fundit, Havai i dha katër votat për Bajdenin, i cili mori gjithsej 306 (pa asnjë elektorë në krah të Trampit), presidenti i sapozgjedhur iu drejtua publikut.
Duke iu drejtuar mbrëmë nga Uilmingtoni, Bajdeni e kritikoi ashpër presidentin dhe mbështetësit e tij për sulmin e tyre ndaj sistemit të votimit të vendit.
Përpjekjet e republikanëve për ta çuar çështjen në Gjykatën e Lartë dhe për t’i kërkuar gjykatës të anulojë rezultatet e këtyre zgjedhjeve presidenciale, tha ai, “është një pozicion ekstrem dhe i pashembullt”.
Ai tha se kishte ardhur koha për të “kthyer faqen” dhe lavdëroi zyrtarët që punuan shumë për të mbajtur zgjedhjet dhe për të vëzhguar të gjitha procedurat.
“Ata ishin të ndershme, të lira dhe të drejta. Ata e panë me sytë e tyre. Dhe ata nuk do të frikësohen dhe detyrohen të thonë diçka tjetër”, tha ai.
“Nëse dikush e dinte atë më parë, ne e dimë edhe tani. Ajo që është thellë në zemrat e popullit amerikan është demokracia. E drejta për t’u dëgjuar, zëri për t’u përfshirë. Për të zgjedhur udhëheqësit e këtij kombi, për të qeverisur vetëvetiu”, deklaroi Bajdeni në fjalimin e tij.
