Elbasani “bashkon” Shqipërinë dhe Kosovën! Në mbledhjen e dy qeverive nënshkruhen disa marrëveshje

TË FUNDIT

Elbasani është qyteti që kësaj here bëri bashkë Qeverinë e Shqipërisë dhe Kosovës në mbledhjen e 7-të të përbashkët.

Për shkak të reshjeve të mëdha të shiut, nuk pati pritje solemne të kabinetit nga Kosova.

Dy kabinetet thelluan bashkëpunimin në fushën e lëvizjes së lirë, arsimit, drejtësisë, infrastrukturës, kulturës dhe shkëmbimit tregtar.

Kryeministri Edi Rama tha se dy vendet janë të gatshme për zbatimin e marrëveshjeve që ato të mos mbeten vetëm premtime. Për përvjetorin e ardhshëm jubilar të  pavarësinë, paralajmëroi abetaren e unifikuar.

 “Ajo që ne jemi dakorduar është që të kemi vetëm një abetare. Nëse biem dakord sot, të kemi një abetare të gjuhës shqipe në Shqipëri dhe Kosovë dhe pastaj këtë abetare unike të gjuhës shqip e ta kemi në të gjitha trojet apo hapësirat ku fëmijët mësojnë të lexojnë dhe shkruajnë gjuhën shqipe”, deklaroi Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë.

Konkretizimi i marrëveshjeve sipas Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti do të forcojë të dyja vendet në fushën ekonomike edhe atë gjeopolitike.

Kryeministrat dhe ministrat kishin maska të njëjta të dizajnuara me flamurin e Shqipërisë dhe Kosovës. Kreu i qeverisë së Kosovës e quajti temë të dhimbshme zëvendësimin e simboleve në Kosovë që sipas tij ka sjellë tronditje kolektive, ndërsa më tej shtoi se fati i dy vendeve mbetet integrimi në Bashkimin Evropian.

“Të thuash se jemi një komb i ndarë do të ishte marrëzi, të thuash se jemi të lumtur se kemi dy shtete sepse kështu jemi më të fortë, do të ishte sa tepri po aq edhe shkurtpamësi, të thuash se angazhohesh për bashkim kombëtar do të të shquanin për nacionalist, e të thuash se do të  bashkohemi në BE të shquajnë për diplomat. Kam përshtypjen se këta të fundit po tregohen më të suksesshëm kështu që le të flasim si diplomatë, po le të punojmë si patriotë”, theksoi Albin Kurti, kryeministër i Kosovës.

Njohja e sigurimeve shoqërore, hapja e pikës kufitare në Shishtavec të Kukësit si dhe  projekti për hekurudhën Durrës-Prishtinë, janë ndër pikat kryesore që dy qeveritë janë dakordësuar. Pritet që dy kabinetet të finalizojnë krijimin e sekretariatit koordinues qeveritar i cili do të raportojë pranë dy zyrave të kryeministrave.