Ekstradimi i Morinës ping-pong mes institucionesh

TË FUNDIT

Pingpong mes institucioneve të vendit për të marrë vendim nëse ish-ushtari i UÇK-së Tomor Morina duhet të ekstradohet në Serbi ose jo.

Ministria e Drejtësisë deri në Gjykatën Penale e ka përcjellë dokumentacionin me kërkesën për ekstradim. Por Penalja para se të japë mendimin e vet, më parë do të kërkojë mendim nga Prokuroria. Pasi Prokuroria t’i përgjigjet, Gjykata do të japë mendimin e saj që do t’ia dërgojë Ministrisë së Drejtësisë.

“Gjykatësi i procedurës paraprake, në përputhje me dispozitat ligjore, kërkesën do ta dërgojë për mendim në Prokurorinë kompetente, e pas marrjes së mendimit gjykata do të deklarohet dhe përgjigjen do ta dorëzojë në Ministrinë e Drejtësisë e cila është kompetente për pjesën e mëtejshme për procedurat për ekstradim”, thonë nga Gjykata Penale.

Kjo nënkupton se pavarësisht mendimit që do ta japë gjykata, vendimin përfundimtar për ekstradim e merr Ministrja e Drejtësisë Renata Deskoska. Nga kabineti i saj nuk pranojnë që paraprakisht të tregojnë nëse do të vendosin ‘pro’ ekstradimit nëse edhe gjykata e jep një mendim të tillë. Thonë se vendimin do ta marrin pasi t’i kenë analizuar argumentet e gjykatës dhe se do të veprojnë në bazë të së drejtës vendore dhe ndërkombëtare.

Zëvendëskryeministri Bujar Osmani ditë më parë i tha TV21 se nuk ekzistojnë gjasa që Morina të ekstradohet në Serbi. Megjithatë kjo deklaratë e tij, siç thonë nga Kabineti i Deskoskës, nuk ndikon aspak në vendimin e tyre përfundimtar.

 “Në procedurën për ekstradim, gjykata është e vetmja që jep propozim për ekstradimin e ndokujt, pas së cilës vijon vendimi final i Ministrisë së Drejtësisë. Deklarata të Ministrave të tjerë nuk komentojmë. Ministria e Drejtësisë punon vetëm në bazë të ligjit dhe pa ndikimin e askujt, kështu që nuk ndjejmë asnjë presion nga deklaratat e kujtdo qoftë, pa marrë parasysh nëse janë ministra nga vendi, Serbia ose nga Kosova”, deklarojnë nga Ministria e Drejtësisë.

Gjykata e Shkupit sot gjithashtu ka aprovuar kërkesën që përfaqësues të Ambasadës së Kosovës në Shkup ta vizitojnë Morinën në burgun e Shkupit, ku tashmë dy javë po qëndron në repartin e  paraburgimit. Ambasadori Gjergj Dedaj ditë më parë i tha TV21 se ekstradimi i mundshëm i Morinës në Serbi, mund të prekë marrëdhëniet mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Morina është arrestuar nga policia më 24 korrik, pasi që me kërkesë të Serbisë, INTERPOL-i kishte lëshuar urdhër arrest.

Përgatiti: Besir Arifi