“Eksproprijimi, problemi më i madh” – thotë Zekolli-Shaqiri për Korridorin 8 dhe për Shkup – Bllacë

TË FUNDIT

Dy kilometrat e para të autostradës Shkup – Bllacë do të lëshohen në dy muajt ardhshëm, ndërsa për 12 kilometrat tjera do të nevojitet riprojektim. Kështu në Daily Click paralajmëroi zv.ministrja e transportit, Kaltrina Zekolli Shaqiri, duke shtuar se në këtë pjesë ka shumë probleme me eksproprijimin, pasi tokat në të cilat kalon traseja e autostradës, janë private. Zekolli Shaqiri njofton se Ndërmarja Publike “Rrugë Shtetërore” ka përgatitur një raport nga revizioni që kanë bërë për këtë projekt, por mbetet e paqartë çfarë është konstatuar.


Zekolli-Shaqiri njofton se do të ketë riprojektim por duke mos zbuluar se sa mund të zgjatë e njëjta dhe kush do ta bënte. E duke pritur riprojektimin e kësaj autostrade, Ministria e Transportit po angazhohet edhe për punimet e korridorit 8. Ky korridor, duke filluar nga Struga e deri në Bullgari, problemet dhe pengesat më të mëdha i ka me ekspropriim.

Sa i përket Korridorit 8, Zekolli-Shaqiri njofton se në pjesën Kërçovë – Ohër, Qeveria ka angazhuar një grup punues i cili do të del në teren dhe të mbikëqyrë zhvillimin e punimeve. Në këtë zonë, ka shumë probleme me rrëshqitjen e dheut tha zv.ministrja. Për zonën Gostivar – Bukojçan, punimet i zhvillon Bechtel dhe Enka ndërsa edhe këtu ka probleme me prona dhe objekte private e të cilat duhet të largohen. Sa i përket zonës lindore, mbetet ajo që njoftoi kryeministri Mickoski, të bëhet riprojektim i infrastrukturës hekurudhore pasi ajo aktuale përfundon në tunel pa dalje. Për pjesën e autostradës, punimet po zhvillohen dhe nuk ka pengesa.