Eksporti nga RMV drejt BE-së në rrezik për shkak të dekarbonizimit! Çmimet do të rriten, kompanitë nuk dinë sa taksë do të paguajnë

TË FUNDIT

Nga 1 janari i vitit të ardhshëm, kompanitë e Maqedonisë që eksportojnë produkte në tregun e Bashkimit Evropian do të përballen me goditje. Çmimi i ulët nuk do të jetë më avantazhi kryesor për konkurrencën e produkteve vendore. Bashkimi Evropian ka futur një taksë për dekarbonizim, që do të thotë se do të paguhet një shumë shtesë për produktet që janë prodhuar duke përdorur energji ndotëse. Por problemi për kompanitë e Maqedonisë është se ato përdorin energji elektrike që 60 për qind prodhohet në TEC Manastir (me qymyr) dhe vetëm 40 për qind nga burime të rinovueshme. Për këtë arsye, nuk dihet ende sa do të jetë taksa.

Edhe pse ishte paralajmëruar, ende nuk është formuar as trupi që do të masë nëse për një produkt të caktuar është përdorur energji “e pastër” apo ndotëse, mbi bazën e së cilës duhet të llogaritet taksa. Kjo do të thotë se edhe kompanitë që kanë investuar në burime të rinovueshme do ta paguajnë gjithashtu taksën. Paqartësi ka ende edhe në qeveri.

Taksat që do të duhen paguar do të thotë edhe çmime më të larta për produktet që kompanitë vendore eksportojnë në tregun e BE-së, duke i bërë ato më pak konkurruese.

Ndryshimet janë të vështira, por duket se janë të pashmangshme, të paktën sa i përket tranzicionit të gjelbër.

Kjo taksë, nga 1 janari, do të prekë rreth 370 kompani vendase që kanë rreth 80 milionë euro eksport në Bashkimin Evropian – produkte të lidhura me industrinë e çelikut, aluminit, çimentos, plehrave dhe hidrogjenit. Por BE-ja paralajmëron se do ta zgjerojë taksën edhe për industri të tjera si ajo tekstile, kimike, plastike, celuloze dhe letre.