EKORIS: "Komunat, asnjëherë në gjendje më të keqe"

TË FUNDIT

Komunat në Maqedoni ndodhen në një gjendje shumë të keqe. Një pjesë e tyre, siç informojnë nga organizata “EKORIS” nuk kanë lëndë djegëse, shkollat janë në gjendje shumë të keqe. Një pjesë e shkollave, posaçërisht ato nëpër mjedise rurale në prag të dimrit nuk do të munden të sigurojnë nxemjen. Ky është imazhi i përgjithshëm pas zbatimit të vëzhgimit të kualitetit të jetës nëpër komuna. Ky projekt është i financuar nga BE, ndërsa zbatohet nga pushteti lokal dhe ai qendror. Bardhyl Marku nga “Ekoris”, shprehu keqardhjen e tij për shkak se komunat nuk kanë decentralizim adekuat të mjeteve financiare.

Për çdo ditë dëgjojmë që shumë komuna po hasin në probleme të mëdha me mjetet financiare. Detyrat jepen mirëpo ato nuk janë të plotësuara  me kapacitet adekuat financiar dhe fiskal që komunat të munden t’i kryejnë ato. Jemi dëshmitarë dhe dëgjojmë që shumë komuna, më konkretisht në arsim, tani që po afrohet dimri nuk kanë mjete të mjaftueshme për nxehjen e shkollave. Jemi dëshmitarë të asaj se në çfarë gjendje janë shumë shkolla në Maqedoni. Nuk them që shkollat nuk janë të rregulluara mirë, mirëpo ka një numër të madh shkollash të cilat janë në gjendje të rëndë, deklaroi Bardhyl Marku.

Marku theksoi se problemet e qytetarëve nuk mund të detektohen sepse, siç  thotë ai, ata hasin në mungesë të informatave.

Ne kërkuam të dhëna për mbledhjen e mbeturinave, kualitetin e jetës, shëndetësinë, mirëqenien ekonomike mirëpo është shumë rëndë të sigurohen informata të cilat nuk janë publike, kurse ata të cilat i marrim janë të vjetra, nga regjistrimi i popullatës në vitin 2002.

Përfaqësues të komunave në të cilat po zbatohet projekti, vunë theksin tek rezultatet pozitive.

Komuna e Shtipit është në gjendje të mirë, që të arrihet deri tek kjo, nevojitet shumë punë dhe të kihet kujdes se si shpenzohen mjetet financiare, deklaroi Snezhana Saneva nga Komuna e Shtipit.

Projekti i cili do të duhet që të japë të dhëna për mungesat në komunat ku është zbatuar decentralizimi, fillimisht është vendosur në 10 komuna. Më pas, siç shpjeguan nga “Ekoris”, ky projekt do të zbatohet në të gjitha komunat në Maqedoni. Nga kjo organizatë evropiane shpresojnë që në të ardhmen do të kenë një pasqyrë reale për shërbimet e komunave për qytetarët.