Avokati i Popullit Naser Ziberi, respektivisht ekipi i tij, e ka vizituar afaristin Orce Kamçevin në Repartin e Paraburgimit në Burgun e Shutkës. Arsyeja për këtë, është ankesa e avokatëve të Kamçevit se ndaj tij ushtrohet trajtim çnjerëzor dhe johuman.
Nga Zyra e Avokatit të Popullit, për TV21 konfirmuan se e kanë vizituar Kamçevin dhe thonë se të gjitha parregullsitë janë përmirësuar, pas çka, afaristi është transferuar në hapësirë tjetër në të cilën ka pasur ujë.
Drejtori i Burgut, mohon se ndaj Kamçevit është ushtruar trajtim johuman. Megjithatë, avokatët e tij thonë se përpilojnë edhe aplikacion deri te Strasburgu, respektivisht deri te Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ku tashmë është dërguar edhe Raporti që e ka përgatitur ekipi i Ziberit.
Afaristi Orce Kamçev, është njëri nga 5 të paraburgosurit në rastin e PPS-së “Perandoria”.
Në mes të muajit mars, Gjykata ia shqiptoi masën e paraburgimin prej 30 ditëve me kërkesë të Prokurorisë, duke e arsyetuar se kanë marrë informacione se Kamçevi po përgatitet që të arratiset.
